Dje edhe pse nuk ishte parashikuar aq shpejt, stoku i romanit “Martesa e Palumtur e Stanishit” ishte shitur i gjithi. Telefonin e kam plot mesazhe lexuesish që nuk e gjenin librin as te Libraria Albas sepse i gjithë stafi i Shtëpisë Botuese ishte mobilizuar për të manazhuar sa më mirë stendën e Panairit.
Natyrisht sasia e stokut mbetet diskrete për arsye të etikës komerciale, por gjithsesi ishte mjaft i konsiderueshem dhe administratoret e stendes jam i sigurtë se kanë marrë masat e duhura që romani te jetë sot i pranishëm.
Si autor falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që treguan interes për këtë roman.
Kjo edhe për një arsye tjetër, për të cilën kisha dëgjuar por nuk e kisha besuar. Vetëm këto ditë që u gjenda në Tiranë mësova se qënkam “shkrimtar i diasporës”.
Shenjë e qartë arbitrariteti në kategorizimin e letersisë!
Arsye e mjaftueshme për t’u habitur, por nuk mbyllej këtu. Pjesa shoqëruese e kësaj etikete krejt të gabuar, është indiferenca totale e institucioneve ndaj “autorve të diasporës”, siç ma shpjeguan shumë vetë.
Thënë më ndryshe, autorë të tillê shihen pak si të deklasuarit e dikurshëm. Për ta në Tiranë nuk rezervohet asgjë tjetër veç dashamirësisë së lexuesve, shenjë e qarte e nivelit qytetar me te larte të masës se njerezve se sa i administratës dhe qeverisësve.
Duket se edhe sot e kësaj dite, ky vend nuk bën dot pa patur një komunitet njerëzish të cilin ta tregojnë me gisht si të padëshiruar. Ekzistenca e tyre bezdis.
Ka vite që e dëgjoja por nuk e kisha besuar!