Kompania amerikane e fluturimeve hapësinore, Space X, ka lëshuar për të dytën herë në hapësirë anijen e saj më të madhe dhe të fuqishme, Starship, duke korrur një sukses pa diskutim më të madh se sa lëshimi i parë, kur anija kozmike shpërtheu.
Me ngritjen fillestare, Starship kaloi me sukses një fazë të parë të shkëputjes nga motori kryesor.
Më pas, ky i fundit nuk arriti me sukses të kthehej në bazë, por shpërtheu në mënyrë spektakolare në ajër, teksa vetë Starship ndezi motorët dhe vijoi fluturimin drejt hapësirës.
Pas nëntë minutash udhëtim ndërkaq, sinjali u humb dhe nuk u kuptua më se çfarë ndodhi me Starship, ku pritet një deklaratë nga qendra e SpaceX, për të zbardhur detajet e plota.
Ajo që mund të thuhet megjithatë është se lëshimi ka rezultuar i suksesshëm dhe shumë më i frytshëm se i pari, duke bërë gjithë fanatikët e udhëtimeve hapësinore të ëndërrojnë për vënien në punë sa më të shpejtë të këtij programi ambicioz, i cili synon të çojë njerëzit në planetin Mars.
Shefi i SpaceX ndërkaq, Elon Musk, ka qenë në bazë i pranishëm gjatë lëshimit dhe është dukur fillimisht i tensionuar për mbarëvajtjen e projektit, por më pas tepër i lumtur dhe i buzëqeshur, kur inxhinierët i bënë me dije se çfarë po ndodhte.
Plani fillestar ishte ai për të kryer një rrotullim të plotë rreth tokës e më pas për të rrëzuar në det Starship, duke edhe e shpëtuar trupin e anijes kozmike për ripërdorim.
Duhet parë megjithatë se çfarë ka ndodhur realisht gjatë fazës së shkëputjes së motorit të dytë, kur ndodhi edhe ndërprerja e komunikimit.