Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte këtë të enjte, në ditën e dytë të Panairit të 26 të Librit, ku tregoi për Euronews Albania disa nga librat të cilët kanë futur në koleksionin e tij në këtë panair.
Ai tha se edhe pse kishte vizituar deri më tani vetëm tre stenda tashmë në koleksionin e tij ka futur librin e Preç Zogaj, atë të Ilir Ikonomit dhe librin e Namir Lapardhasë.
Basha tha se në këtë panair është ndier i kënaqur pasi ka parë se shumë të rinj kanë qenë prezentë në panair.
- Advertisement –
“Më bëhet zemra mal kur shikoj shumë të rinj e të reja lexues. Për këtë dua t’i shpreh një falënderim në veçanti prindërve dhe arsimtarëve të cilët përmes pranisë së fëmijëve në panairin e librit, po bëjnë një investim shumë të rëndësishëm për gdhendjen dhe sofistikimin e shijes së lexuesve shqiptar”,-tha Lulzim Basha.
Lulzim Basha tha gjithashtu se është shumë e rëndësishme t’i kushtohet më shumë rëndësi autorëve shqiptarë, pasi gjuha shqipe është ajo që i bashkon të gjithë shqiptarët.
“E rëndësishme është vëmendja ndaj autorëve shqiptar, sepse nëse ka një tipar dallues që po bashkon shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të veriut, në Malin e Zi, në Greqi e diasporë, është gjuha shqipe, ruajtja dhe promovimi i së cilës është një nga misionet më të shenjta”,-tha Basha.
