Propozimet e Bashës janë një zgjidhje për sistemin!

Nga Ermal Peçi

Ajo që po ndodh në shoqërinë shqiptare është treguesi më i mirë sesi politika mund të jetë një frenues i zhvillimit duke mbajtur peng shoqërinë. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, janë ndryshime, të cilat vranë individualitetin politik, vranë garën dhe zhdukën filizat politikë duke lënë një tokë djerrë dhe liderët politikë të mos ndihen të kërcënuar e pushteti i tyre politik të jetë potent e i paprekshëm. Këto ndryshime kanë dy fajtorë, Ramën dhe Berishën, të cilët edhe në këto momente zaptojnë hapësirat mediatike e politike duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi për situatën e krijuar dhe në atë që po jeton Shqipëria.
Shqiptarët janë duke ndjekur çdo ditë show-n mediatik që politika po prodhon. Një show, i cili shmang fokusin nga problematikat e ditës dhe kthehet në një telenovelë me seri të pafundme, i cili në fund nuk thotë asgjë. Asgjë, po prodhon dhe aksioni opozitar i kompozuar nga Berisha dhe dirigjuar nga Bardhi. Një muzikë që prodhon zhurmë dhe shfokuson vëmendjen nga miratimi i buxhetit. Buxheti, është tema më e rëndësishme për t’u diskutuar sepse janë paratë tona dhe çdo qytetar ka nevojë të dijë se ku po i lokalizon projektet qeveria jonë. Nën këtë muzikë të zhurmshme, e cila u zhvillua edhe ditën e sotme me lojën e kungulleshave në gjykatë, ku fake news-et duan të shtrembërojnë realitetin politik dhe të përhapin lajmin që Basha nuk njihet nga gjykata si kryetar i PD-së. Një muzikë stonuese që luhet për interesa të oligarkëve dhe bosëve të politikës. Në fakt PD mundohet të largohet dhe të krijojë një simfoni më të qetë dhe t’i përçojë mesazhe veshëve të qytetarëve.
Gjatë javës që lamë pas, Partia Demokratike ka depozituar disa nisma shumë të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë.

Partia Demokratike depozitoi në Komisionin për Reformën Zgjedhore propozimet për:

1.Listat e hapura;
2.Shqipëria 1 zonë zgjedhore;
3.Votën e diasporës.

Me këto propozime, listat e kandidatëve për deputetë çlirohen nga kontrolli i kryetarëve të partive, duke i dhënë mundësinë qytetarëve të zgjedhin drejtpërdrejt deputetin që duan, duke rikrijuar lidhjen ndërmjet votuesit dhe deputetit, e cila u shkëput nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.

Përmes propozimit Shqipëria 1 zonë zgjedhore krijohet barazia e votës së qytetarëve duke eliminuar difererencat ndërmjet qyteteve të ndryshme. Kështu vota do të ketë të njëjtën vlerë, si për qytetarin e Kukësit dhe të Fierit, të Tiranës dhe të Vlorës, sepse sot për të dalë deputet do të duhen më shumë vota se në një qytet tjetër, pra e zhvlerëson votën e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

Me propozimin për votën e diasporës, u kthejmë, pa asnjë kufizim, shtetasve shqiptarë me qëndrim të përhershëm, apo të përkohshëm jashtë Shqipërisë, të drejtën e tyre kushtetuese, të zgjedhjes së përfaqësuesve në Kuvend. Në përputhje dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shqiptarët jashtë Shqipërisë do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës në vendin ku ata jetojnë.

Përtej zhurmës e muzikës zhurmuese, e cila po luhet, propozimet e Bashës janë një çelës për të hapur kasafortën e mbyllur, e cila mban brenda trinomin korrupsion-oligarki-krim. Nëpërmjet këtyre propozimeve dhe mbështetjes pa kushte ndaj SPAK, vendi ynë mund të çlirohet nga sistemi i kryetarokracisë i cili vrau çdo qelizë gare dhe detyroi shqiptarët të marrin plaçkat e të largohen prej vendit të tyre. Nëpërmjet këtyre propozime dhe vettingut në politikë mund të krijohen mekanizmat për të forcuar institucionet dhe të gjesh instrumentet, të cilat nuk i lënë individët të drejtojnë sistemin, por sistemi bëhet vetërregullues.

Latest articles

Related articles