Për Aleksandër Vulin! – Analiza e Indrit Vokshi

U shpall nongrata nga ShBA dhe iku. Tha nuk dua t’i shkaktohen dëme shtetit të Serbisë nga nongrata ime. Nuk dua t’i bëhem barrë shtetit tim. Po dorëhiqem. Ky ishte shefi i Shërbimit Sekret të Serbisë, ndoshta njeriu i dytë më i rëndësishëm pas Aleksandër Vuçiq.

Serbia ka qenë gjithmonë “midis Lindjes e Perendimit” por në të gjitha rastet ka prodhuar elitë politike tejet dinake. Ka prodhuar lojtarë.

Vulini nuk është rast i ri e as i izoluar. Ai përfaqëson mentalitetin e klikës serbe.

Kur u vra Arkiduka Franc Ferdinand, shefi i Shërbimit të Ushtrisë ishte Dragutin Dimitrijeviq, vlleh, me nofkën “Apis” – Apis quhej demi i shenjtë në mitilogjinë egjyptiane. Apisi ishte shefi i “Dorës së Zezë” dhe ishin shpallur “nongrata” nga Britania për komplotin e 26 majit 1903 kur grupi i oficerëve vranë familjen mbretërore Obraniviq.

Kur nisi Lufta e Parë dhe shteti serb u shpërngul në Korfuz e Selanik, klika qeveritare serbe shfrytëzoi rastin dhe në 1917 i nxorri para gjyqit ushtarak Apisin dhe shokët. Edhe për rivalitet politik por edhe sepse nuk ua pranonte Britania, ua konsideronte faktorë destabilizues (qetësonin dy shqetësime). Pra klika shtetërore e Serbisë me qëllim për të mbajtur mardhënie të mira me Britaninë, ekzekutoi një grup oficerësh të qarkuar si nongrata.

Veprimi ishte me gjuajtje të largët. Serbëve iu duhej Britania më shumë se Dora e Zezë. Akademiku britanik James Evans, librin e tij “Krijimi i Jugosllavisë dhe roli i Britanisë së Madhe” e nis duke shkruar se Jugosllavia u krijua në terren nga serbët e kroatët dhe në Konferencën e Versajës erdhi për tu njohur e çertifikuar ndërkombëtarisht.

Dmth në tryezën e Versajës serbëve u është nevojitur Britania pro, Franca pro, Amerika pro. Përndryshe nuk arrinin asgjë. E për arritjen e qëllimeve të tyre, ata larguan personat për shkak të të cilëve Britania pati ndërprerë mardhëniet diplomatike me Serbinë për një kohë tre vjet.

Sot Aleksandër Vulin nuk pushkatohet por largohet. Sepse serbëve në ketë kohë nuk iu intereson të kenë konflikt me ShBA. Asnjë shtet e popull, asnjë kompani e parti, nuk ka interes të ketë konflikt me ShBA. Vetëm një parti ka interes të ketë konflikt, elita e mençur e PD-së në Shqipëri ka gjykuar se duhet të ketë konflikt me ShBA sepse “kuidihet, ShBA ndërron mendim”. Dhe kanë përfunduar në kanal.

Shumë të mençur e kalkulues.

Latest articles

Related articles