Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë.
Këto dy njësite elitare të Policisë thanë se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre, teksa kërkuan që të mos luhet me dinjitetin e tyre.
Njësia Speciale Intervenuese fillimisht në shenjë bojkoti për trajtim jo të dinjitetshëm e mos përmbushje të kërkesave të tyre, nuk mori pjesë në “Darkën e Lamës” e cila u organizua nga Zyra e Presidentes Vjosa Osmani në kampin e njësive speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicën e Jugut.
Disa nga këta pjesëtarë të FIT-it që ishin edhe pjesë e aksionit policor që morën kontrollin në Banjskë të Zveçanit, nuk kishin pranuar që të ulen në tavolinën e “Darkës së Lamës” që u shtrua më 18 tetor 2023.
Njësia Speciale Intervenuese (NJSI/FIT) hynë në kategorinë e njësive elite të Policisë së Kosovës. U themelua në vitin 2007 ndërsa morën pjesë në operacione të shumta të cilat u shënuan përgjatë këtyre viteve që nga themelimi i saj, duke nisur nga ajo e fundit, sulmi terrorist në Banjskë të Komunës së Zveçanit.
Një tjetër ngjarje të cilën e udhëhoqi FIT-i ishte edhe arrestimet që ndodhën në veri të vendit në muajt e fundit. Ndër to ishte edhe arrestimi i Millun Millenkoviq i njohur si “Llune”.
Njësia FIT kishte marrë pjesë edhe në arrestimin e ish-shefit i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq në vitin 2018.
Policia e Kosovës ka disa njësi speciale, duke filluar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë, Njësia Speciale Operative dhe të tjera, por njësia kulmore edhe brenda Specialëve është pikërisht NjSI-ja.
Njësia Speciale Intervenuese (NJSI), kryen operacionet e sigurisë në raste të veçanta dhe zgjidhjen e situatave me të cilat nuk mund të përballohen shërbimet e tjera të policisë.
Kujtojmë se sipas propozimit të Qeverisë së Kosovës me të cilin policët e kësaj njësie elitare nuk po pajtohen, pjesëtarët e njësive elitare (Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt) do t’i marrin nga 150 euro shtesë në pagën bazë.