Pse Berisha po fshihet pas proçedurave ? – REDAKSIONALE

Ish kryeministri Sali Berisha nisi një përpjekje për t’u fshehur pas proçedurave. Iku nga shtëpia të shtunën në mbrëmje për të dhënë konferencë shtypi në seli dhe kur policët erdhën në seli për ti dorëzuar vendimin e detyrim paraqitjes në GJKKO, ai nuk i priti.

Policët i priti Oerd Bylykbashi, një nga protagonistet e dosjes, ish drejtor i antikorrupsionit gjatë qeverisjes Berisha. Berisha dhe Bylykbashi penguan policët që të kryenin detyrën, ose sipas tyre, ta shkelnin ligjin.

Berisha tani mbrohet pikërisht me mostakimin dhe mosnjoftimin që ai vet e shkaktoi të shtunën në mbrëmje.

Kur është aq i pastër dhe i rregullt, dhe kur ai vet tha se kishte kërkuar të hiqeshin këto kufizime imuniteti, por nuk i hoqi Rama, atehëre pse Berisha fshihet pas kufizimeve që nuk i hoqi Rama?

Kemi të bëjmë me një politizim të skajshëm të vetmbrojtjes në një çështje tërësisht teknike, ligjore dhe financiare. Shpreson tek ping pongu i shkëmbimit të akuzave Rama-Berisha siç ka ndodhur 20 vjet.

Kemi të bëjmë edhe me shperdorim të raporteve me median, se ka dhënë dy konferenca të gjata me mediat dhe refuzon të paraqitet para drejtësisë. Konferencat në vetvete janë politizuese, bullizuese për protagonistet e çështjes: Kraja, Millonai, etj.

Përmes politizimit dhe mesazheve nga tribuna e konferencës, bën thirrje ndjekesve të tij për vazhdim të një levizje pa kthim dhe qëndresë ndaj regjimit. Sindromi i vjetër komunist për t’u shndërruar nga i akuzuar në akuzues shfaqet rregullisht në sjelljet e tij.

Politizimi i duhet për të mos rënë alibia e shprehur nga vet ai se mbi këtë toke nuk gjendet asnjë copë letër që mund të provojë korrupsionin e tij, kur në fakt dolën shumë fleta letrash.

Politizimi i duhet që të vazhdojë paprekshmërine e tij për çështje të zakonshne abuzimi me shtetin. Në fakt paprekshmërinë e siguroi edhe natën kur refuzoi të takonte policët, falë ndërhyrjes së deputetëve në paradhomë.

Berisha mendon se duke u mbrojtur vet fort si shkaku i korrupsionit, do të pengojë përparimin e gjyqit edhe për dhëndrin, Jamarbër Malltezi. Ai mendon se presionet dhe dhuna verbale e tij si Kryeministri nuk ka lënë gjurmë. Po përpiqet të mos e mbajë veten si shkaku, por po ia transferon Nanos, Ramës dhe gjithkujt përveç vetes jo…

Ai po thotë se pasoja (fitimet e z. Maltezi) janë në rregull, se i takojnë se ka marrë pak madje, derisa nuk provohet që ato erdhën nga shkelja e ligjit, ndryshimi i ligjit, presionet dhe kontrollet nga kryeminstria. Pra ose do të bien të dy ose do të shpëtojnë të dy.

Berisha e ka sulmuar SPAK-un qysh nga dita e parë, duke e ndjerë se është një strukturë jashtë ndikimit të tij. Dhe mendon se meqë është jashtë ndikimit te tij, atëherë duhet të jetë nën ndikimin e rivalit të tij.

Njollosja dhe mosbesimi që ka mbjellë Berisha ndaj SPAK dhe GJKKO shkon në proporcion të zhdrejtë me pritshmëritë e larta të publikut për drejtësi. Duke vënë në dyshim çdo trupë gjyqësore dhe hetimore qysh në rrenjë, Berisha synon të zerojë çdo gjykim apo hetim të tyre en block, a priori. Kjo është pjesë e mekanizmit të paprekshmerisë së politikanëve të korruptuar.

Latest articles

Related articles