Oficerët e OPGJ-së “zbarkojnë” te apartamenti i Sali Berishës

Tre oficerë të Policisë Gjyqësore kanë shkuar vetëm pak çaste më parë në apartamentin ku banon ish-kryeministri Sali Berisha në Tiranë.

Oficerët e OPGj-së dhe shefi i Departamentit për Hetimin e Korrupsionit janë parë të hyjnë në pallatin e famshëm ku Berisha jeton prej vitesh me bashkëshorten e tij, në rrugën “Mustafa Matohiti”, pranë “Pub Meduza”-s dhe kanë dalë pas disa minutash.

Agjentët kërkojnë të njohin Berishën me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” i akuzuar për aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani, por nuk dihet nëse kanë arritur ta gjejnë në banesë.

Kjo është hera e dytë që OPGJ tenton të kontaktojë me Berishën, pasi më herët shkuan në ambientet e “Selisë Blu”, por në pamundësi për të kryer detyrën e tyre, pasi ish-kryeministri refuzoi t’i takonte. Berisha pretendon se është i mbrojtur nga imuniteti i deputetit dhe se po i shkelen të drejtat duke ia kufizuar lëvizjen jashtë vendit.

Kujtojmë se ky zhvillim vjen vetëm pak orë pasi vila e dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezi në Gjirin e Lalzit u vu nën sekuestro, së bashku me 15 prona të tjera dhe 6 llogari bankare.

Latest articles

Related articles