Për të pathëna të tjera për kancerin e gjirit

spot_img

nga Silvana Kola – Loka

Ju tregova për rëndësinë e jashtëzakoshme të familjarëve në betejën time kundër kancerit të gjirit!

Sot është rradha t’ju tregoj për ata që m’u bënë familje! Për ata të cilët, përvoja ime me kancerin e gjirit, më tregoi që ishin bërë prej kohësh familja ime:

KOLEGËT dhe STUDENTËT e mi në Universitetin ‘Marin Barleti ‘!!

                             * * *

Pas heqjes së gjirit, onkologia më tregoi se cili do të ishte trajtimi me kemioterapi, të cilit do t’i nënshtrohesha në muajt në vijim.

Unë nuk dija ç’të prisja dhe (mbase) kisha frikë ta dija!
Ajo nuk mund të më jepte asnjë siguri për çfarë do të vinte dhe (mbase) kjo ishte diçka e mirë!
Kështu, më mbetej mua të vendosja se cila do të ishte përvoja ime me kemioterapinë.

Doktoresha e mbylli konsultën me dy fjali:

-Ne do të bëjmë gjithçka që të ruajmë cilësinë e jetës!
-Të sugjeroj ta ndërpresësh punën sepse auditorët kanë shumë njerëz dhe ti nuk mund të rrezikosh të marrësh asnjë virus.

                             * * *

I lashë auditorët pas ciklit të dytë të kemios sepse kemio ma mjegullonte të menduarit dhe më pengonte të krijoja fjali të gjata.
Kemio ma fashiti energjinë dhe aftësinë për ta tendosur ajrin në auditor!

Por, Universiteti “Marin Barleti” mbeti streha ime. Shkova atje çdo ditë, përveç ditëve të kemioterapisë.
Dhe, çdo ditë, ndjeja se si shikimi plot keqardhje i kolegëve dhe studentëve u shndërrua në shikimin e njerëzve që natyrshëm përkujdesen për dikë në nevojë për ca përkëdhelje ekstra. Derisa erdhi një ditë që në sytë e tyre unë u bëra përsëri, thjesht Silva!😊

Mes kolegëve dhe studentëve e pata të lehtë të isha vetja! Unë, Silva!
Ashtu, me kokë tullace, me paruke qesharake😅 dhe shaje shumëngjyrëshe.

Pati lotë dhe të qeshura!
Pati tavolina me dolli për jetën dhe biseda pa frikë për vdekjen!

                               * * *

Kolegët dhe studentët e mi e dinin atëherë dhe le ta lexojnë përsëri:

🙏 Ju jam mirënjohëse për melhemin e pranisë tuaj në luftën time për jetën!

🙏Uroj t’ju kem ndihmuar sadopak në fashitjen e frikës tuaj krejt të natyrshme nga vdekja!

🙏Jam e bekuar që mundëm të jetonim bashkë atë çfarë është të jesh thjesht Një Njeri!

Latest articles

Related articles