Higjena sociale e vrasësve ! – nga Dashnor Kokonozi

Më se 30 vjet të shkuara, për një nga numrat e parë të Rilindjes demokratike përktheva një artikull të gjatë të Erik Fromit për Stalinin, nxjerrë nga një libër që sapo kisha blerë në Itali (Anatomia della distruttività umana).
Aty mësova se sjellja e tij ndaj viktimave ishte jashtëzakonisht e çuditshme. Stalini ishte mjaft i përzemërt me ta. Ndodhte që një natë më parë i ftonte edhe në shtëpinë e tij të hanin supë (kasha), të cilën e kishte për zakon t’ua ndante vetë me antarëve të Byrosë politike. I përcillte te dera dhe nuk mungonte t’u thoshte fjalë të mira.
Të nesërmen ata nuk jetonin më. Nëse jetonin, kjo qe fatkeqësi edhe më e madhe. Do të ishin nën tortura të urdhëruara nga ai vetë.
M’u kujtua një gjë e tillë këto ditë, kur po lexoja diçka për gazetarin e juristin Zyhdi Herri, i cili me E. Hoxhën mund të jetë njohur mbase që nga Liceu i Korçës.
Në kujtimet e familjarëve të tij thuhet se pak ditë para arrestimit ai kishte hyrë në shtëpi mjaft i gëzuar sepse kishte takuar Enver Hoxhën, i cili i kishte thënë se i lexonte të gjitha shkrimet e tij dhe i pëlqenin shumë. (Herri shkruante për gazetën Bashkimi)
Në ditët që do të vijonin, ai do të vritej pa gjyq…
Kam rreshtuar në shënimet e mija mjaft paralele të tilla.
Një tjetër është ajo kur pak para arrestimit e vënies nën tortura, Kadri Hazbiu mori një kartolinë urimi për ditëlindjen nga… Enver Hoxha.
Fadil Paçrami, në kujtimet e tij thotë se… “Me rastin e 50-të vjetorit të lindjes, Enveri më erdhi për urime në shtëpi, me Nexhmijen. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë. Nuk kurseu fjalët më të mira, aq sa ra në sy edhe të tjerëve të pranishëm. Bëmë edhe fotografi së bashku. ..”
Pak më tej, ai do të arrestohet!
Dua të kthehem te rasti i Herrit.
Është viti 1951 kur ai përgëzohet dhe pushkatohet nga Hoxha. Me sa di ende nuk kishin dalë ende dokumente që flisnin për mekanizmin satanik të vrasjeve të Stalinit! Kujtimet e Trockit, libri i tij “Stalin”, do të dalë më 1946. Nuk besoj që Hoxha ta kishte lexuar.

Si shpjegohet që të dy bënin një lojë aq mizore me viktimat e tyre?

Latest articles

Related articles