Çfarë ka tradhëtuar Edi Rama? – nga Indrit Vokshi

Indrit Vokshi

Me qëndrimet e tij të gabuara në mardhënie me Serbinë, Edi Rama ka tradhëtuar edhe gjakun e partizanëve të Luftës Nacional-Çlirimtare.
Pavarësisht çfarë ndodhi pas luftës, qindra e mijëra partizanë, motiv të luftës e të gjakut të tyre, patën çlirimin e Atdheut.
Qindra e mijëra ushtarakë, efektiv i Forcave të Armatosura, pavarësisht se regjimi komunist ishte i bazuar mbi dogmë partiake, frymëzim të tyre patën mbrojtjen e Atdheut. Sipas mënyrës së tyre me sloganet e asaj kohe. Por Atdheun.
Qindra ushtarakë e dëshmuan edukimin e tyre kombëtar duke stërvitur dhe ndihmuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Sot, ne shqiptarëve, nuk na intereson ndarja, ballistë e partizanë, nacionalistë e komunistë. Nuk na intereson një komb i ndërtuar mbi mohimin e tjetrit. I ndërtuar duke mos i njohur tjetrit legjitimitet patriotik.
Ne na intereson që brenda secilit njeri e secilit grupim politik, të gjejmë ndjenjat kombëtare, ndjenjat e shërbimit e të sakrificës për Atdheun, ndjenjat dhe dëshirën për unitet kombëtar.
Këto ndjenja, gjenden tek shqiptarët edhe të përziera me ndjenja të tjera e pikëpamje të tjera, apo me përkatësi të tjera politike e filozofike. Por gjenden dhe jetojnë!
Qofshin të majtë apo të djathtë si përkatësi, njerëzit janë bartës të ndjesive kombëtare. Ketë e ka dëshmuar historia e cila na mëson, sa sado një shoqërie t’i mbivendoset një ideologji, ndjesia kombëtare e patriotike, zor se zhbëhet plotësisht.
Prandaj veprimtaria flagrante në kundërshtim me interesat e shqiptarëve për unitet dhe qëndrim të qartë në çështjen shqiptaro-serbe, është tradhëti jo vetëm sipas pikëpamjes së nacionalizmit si spekter politik.
Është tradhëti edhe për ata të cilët identifikohen si të majtë por respektojnë luftën e shqiptarëve, çmojnë sakrificat dhe kërkojnë Shqipëri brenda boshtit të kombit.

Latest articles

Related articles