Zjarr brenda mureve të Vatikanit

R. SH. – Vatikan

Dëmet janë të vogla dhe do të riparohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky, njoftimi i Guvernatorit të Shtetit të Vatikanit lidhur me zjarrin e vogël që ra mëngjesin e së shtunës, 7 tetor, rreth orës 9.30, në Sallën e Koncistorit të Vilave Papnore të Castel Gandolfo-s, në katin e dytë, që njihet me emrin piano nobile.

Zjarri, i cili u shua shpejt me aparatet e duhura nga punëtorët e pranishëm aty, u shkaktua prej një qarku të shkurtër të një llambe, pjesë e sistemit të ndriçimit, instaluar në vitet 1990. Para se të shuhej, zjarri preku një pjesë të tapicerisë së murit e, sidomos, pëlhurën e 4 karrigeve.

Nga sixhadet në dhomë, vetëm njëra do të ketë nevojë për restaurim të lehtë, sepse një cep i saj u nxi nga tymi. Nuk u dëmtua asgjë e vlefshme. Zjarrfikësit, të cilët mbërritën më vonë, konfirmuan qëndrueshmërinë e çatisë dhe të mureve. Tymi nuk arriti në kishëzën Urbani VIII aty pranë, e cila duket absolutisht e paprekur.

Për arsye sigurie, disa pajisje ndriçimi u mbyllën dhe do të zëvendësohen. Apartamenti i Vilave Papnore, shndërruar në muze në tetor 2016, mbetet i hapur për vizitorët.

Latest articles

Related articles