Edhe 54 prokurorë në Vetting – Procesi ka nxjerrë nga sistemi gjysmën e subjekteve

Prej fillimit të procesit të Vettingut, rrjetën e komisionit të Pavarur të Kualifikimit e kanë kaluar 123 prokurorë në të gjithë vendin ndërsa 108 u shkarkuan. Ende në proces janë 54 prokuror mbi të cilët do të kryhet verifikimi i pastërtisë së figurës, ai i pasurisë dhe integriteti profesional. 24 prokurorë dhanë dorëheqje si magjistratë, duke zgjedhur të mos bëheshin pjesë e verifikimeve. Të dhënat u bënë me dije në mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve ku njerëzit e organit të akuzës zgjodhën 3 përfaqësuesit e tyre për në KLP.

“Vitet e fundit kanë qenë më të vështira në historikun e prokurorisë shqiptare e tha dhe prokurori i përgjithshëm. Ju u vutë në sprovë të fortë besimin moral, shoqëror por edhe juridik. Një pjesë prej jush arriti ja doli dhe sot është këtu mes nesh”, tha Alfred Balla.

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela kërkoi më shumë solidaritet midis prokurorëve kur bëhet fjalë për kërcënimet që vijnë nga shkelës të ligjit.

“Për herë ka pasur kërcënime dhe gjithmonë sipas legjislacionit në fuqi, këto janë trajtuar për ti dhënë zgjidhje çështjeve që lidhen me sigurinë e prokurorëve. Për sa i përket rastit të fundit, ne kemi qenë në kontakt me Këshillin e Lartë të Prokurorisë që në momentet e para, janë organizuar disa takime janë marrë masa dhe nuk besoj se ka diferencë në atë kontekst”, tha Olsian Çela.

Në fund të procesit të votimit ku morën pjesë 234 prokurorë nga 243 në të gjithë vendin, mes 5 kandidaturave, Moisi Duda, Olger Eminaj, dhe Vatë Staka u zgjodhën për të qenë anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Latest articles

Related articles