Çeta e Hajdutëve

Nga Erl Kodra

Kryetari i Çetës së Hajdutëve (lexo Kryeministri Edi Rama) deklaroi në konferencën për shtyp në këtë fund gushti se ai dhe qeveria e tij nuk mban asnjë përgjegjësi për vjedhjet masive të parave të Buxhetit të Shtetit. Po të përpiqesh të bësh një bilanc të qeverisjes 10 vjeçare, është e pamundur të gjesh një projekt PPP-je, konçensioni ose investimi publik ku ai nuk ka vjedhur minimumi gjysmat e parave nga Buxhetit, sipas parimit gjysma në xhep dhe gjysma për shtet. Absolutisht asnjë punë të vetme, asnjë për be nuk e ka bërë pa vjedhur. Le t’i hedhim një sy të shpejtë investimeve më të dukshme, por edhe të padukshme ku parat e shqiptarëve i ka bërë rrush e kumbulla.

E filloi me PPP-në ose konçensionin e Check Up-it, ku me një dorë të vetme nënshkroi i dha Vilma Nushit 120,000,000 Euro për të bërë gjoja kontrollin shëndetsor periodik për moshat 35 deri 65 vjeç, pa asnjë vlerë reale për shëndetin e popullatës, por thjeshtë vjedhje e pastër. PPP-ja me vlerën reale të një studimi doktorature, që mund të realizohej fare mirë nga të dhënat që disponon Ministria e Shëndetësisë nëpër të gjitha qendrat shëndetsore të vendit, se cilat janë të dhënat e analizave që kryhen në gjithë Shqipërinë, domethënë, gjak komplet, urinë komplet, tension gjaku etj. Saktësisht këto ishin analizat për të cilat Edi Rama i dhuron Vilma Nushit 120,000,000 Euro! Ato para nuk ishin as të Kristaqit (ndjesë pastë) ose të Anetës, por parat tona, të çdo shqiptari që ka lindur dhe i atyre që akoma nuk kanë lindur, sepse ato miliona rrjedhin në xhepat e Vilmës për 10 vjetë me rradhë.

Pastaj vijuan PPP-të e tjera me sterilizimin e instrumentave mjekësore, edhe ky me para që rrjedhin lumë në duart e miqëve të Ramës – përkatësisht Ilir Beqja-s dhe Rrjepajt – duke harxhuar milionat e eurove si n’Karadak.
Pa u mbyllur një PPP fillon PPP-ja tjetër me plehrat e Shqipërisë, ku me një të rënë të lapsit, brenda një dite, firmosen nga Çeta e Hajdutëve të Edi Ramës plot 17 dokumenta që mundëson vjedhjen e 430,000,000 eurove të tjera, për të ndërtuar djegësa që nuk ekzistojnë, ose edhe aty ku ata gjoja janë ndërtuar, janë ca karakatina që nuk funksionojnë.

Pastaj i vjen rradha “rrugëve që mbetën rrugëve” me nga 22, 000,000 euro/kilometri, ku nuk mungojnë kontrata dhe konçensione me 200,000,000 euro, 300,000,000 euro, 400,000,000 euro thua, thua se u bë deti kos, dhe o burra, të kapim çka të kapim, se nesër është fundi i botës.

Pa përmendur këtu Projektin “Rilindja Urbane” dhe milionat që rrjedhin lumë për pllaka majolike në sheshet publike, që u del boja me shiun e parë.

Lëre më po të flasim për labaratorët e drogës dhe plantacionet e hashashit nga jugu në veri, që kriminalizoi gjysmën e rinisë shqiptare, dhe nja 128 oficerë të lartë të Policisë së Shtetit të lidhur me bandat, të cilët sot e kësaj dite “militojnë” në banda dhe në polici.

Dhe së fundi “revolucioni digjital” me e-Albania prej ku u vodhën të gjitha sekretit e Shtetit dhe të qytetarëve shqiptarë nga hakerat iranian, të dhënat e TIMS dhe programeve të tjera shumë të ndjeshme, duke i ekspozuar qytetarët e këtij brezi tashmë ndaj krimit ndërkombëtar.

Se harrova fondet e rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019 – atë miliardin (1,000,000,000) euro dhe pandeminë e Covid-19, që vodhi kush u ngritë në mëngjes dhe shkoi në zyrat e Çetës së Edi Ramës, që kishte dhe ka për mision vjedhjen, propagandën dhe sharlatanizmin profetik me batuta të dala boje.

Oh se harrova edhe nja 141,000,000 euro të tjera që ia fali Francesco Becchetti-t përmes arbitrazhit ndërkombëtar, thua se ato para i kishte trazhguar nga gjyshja italiane, ose i kishte gjetur në Surrel në ndonjë shpellë hajdutësh. Vuuu shqiptarët – paguaj për tekat dhe hajnitë e Edi Ramës. Vuuu – propaganda e Edit 24 orë në ditë nga të gjitha anët.

E vetmja vepër “e mirë” e Edi Ramës – që në fakt nuk është aspak e Ramës por e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – Reforma në Drejtësi, të cilën e delendisi dhe u mundua ta mbyste pa lindur akoma, veçse ajo mbijetoi falë Shteteve të Bashkuara.

Por së fundi – më në fund domethënë – çereku i qeverisë është në SPAK dhe burg, gjysma tjetër është kandidate për në burg, por vetëm ai nuk ka faj, nuk ka dijeni, nuk ka përgjegjësi, sepse ai është i pikuri prej qiellit, i lindur dhe destinuar për të udhëhequr një çetë me maskarenjë, që për 10 vite u kanë vjedhur shqiptarëve mbi 10 miliardë euro.

Gazetarët dhe mediat (ah mediat) bëjnë sehirë dhe tjerrin broçkullat e një hajduti ordiner që vjedh e nuk i dridhet qerpiku – sepse nga ana tjetër – përballë Edit gjendet as më pak e as më shumë se sa një hajdut tjetër ordiner (Ilir Meta) dhe një non-grata si Sali Berisha. Kështu që edhe pse Edit i ka ikur zv.Kryeministri në azil, edhe pse e ka në burg ish-Ministrin e Brendshëm, edhe pse ka në burg ose non-grata gjysmën e qeverisë dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë, edhe pse është kapur me dorë në xhepat e shqiptarëve – shqiptarëve nuk ka kush ua heq qafe këtë qelbësirë, sepse mbrohet nga nja hajdut tjetër ordiner dhe një non-grata.

Le të vazhdojë kjo gjendje edhe pak, domethënë sa të kopsiten mirë letrat e kupolës së Policisë së Shtetit dhe Çetës së Hajdutëve, se me shumë gjasa edhe shqipove do t’u dalë gjumi, dhe do ta kuptojnë se Edi nuk është asgjë më shumë se sa një dallkauk-kopuk dhe hajdut, një maskara që po ua merr erzin qytetarëve të këtij vendi.

Latest articles

Related articles