Disa qytetarë në vend kanë dalë në protestë pasditen e sotme për të kundërshtuar arrestimin e ish-luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhajt. Të mbledhur para Ministrisë së Drejtësisë në Tiranë, protestuesit kanë deklaruar se Goxhaj është i pafajshëm.
Në protestën me sloganin “Me Goxhajn krenohet Labëria, Çamëria, Dardania, ju burgosi Shqipëria”, qytetarët refuzojnë ekstradimin e tij drejt Hagës. Por së bashku me qytetarët sot në protestë është dhe bashkëshortja e tij.
Dritan Goxhaj u arrestua më 31 korrik nga Policia e Tiranës, për llogari të Gjykatës Speciale të Kosovës, me zyra në Hagë. Mbi të rëndojnë dy akuza, ajo e “Frikësimit gjatë procedurës penale” dhe “Pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrave”. Protesta e thirrur nga grupi “Krahu i Shqiponjës”, kërkon lirimin e ish-luftëtarit të UÇK-së dhe mos-ekstradimin e tij drejt Hagës, në Dhomat e Specializuara. Avokati i Goxhajt, Bashkim Nikolla e ka cilësuar si vendim me prapavijë politike arrestimin e klientit të tij, ndërsa shton se ai është i pafajshëm.