Nga Sebastian Zonja
Kur diktatori Adolf Hitler erdhi në pushtet, ai kishte kuptuar një sekret nga Lenini në Rusi – propaganda është mjeti kryesor për të mbajtur pushtetin. Ka debate se cili prej regjimeve kishte propagandë më perfide – nazizmi apo komunizmi? Ende sot vijojnë këto debate.
Kur nazistët morën pushtetin, në janar të vitit 1933, radioja ishte shumë e shtrenjtë. Familjet gjermane nuk e përballonin dot blerjen e një radioje. Duhej një rrogë mujore për të blerë një të tillë. Nazistët kuptuan menjëherë vlerën propagandistike të saj dhe filluan prodhimin masiv dhe subvencionimin për çdo familje. Brenda pak muajsh pajisën thuajse të gjitha familjet gjermane me radio. Diktatori do mbante fjalime në oraret më të përshtatshme kur familjet ishin në shtëpi dhe propaganda naziste zinte vend në mendjen e çdo gjermani. E njëjta gjë ndodhte në kampin tjetër komunist.
Ne kemi parë nga afër propagandën komuniste që, po ta studiojmë, mban brenda aspekte të asaj naziste dha asaj bolshevike.
Në fillimet e veta, koncepti i armikut ishte kryekëput bolshevik, së bashku me maketin për të parë dhe shkruar historinë e vendit. Armiku duhej likujduar deri në qelizë dhe historia duhej modifikuar që të niste në vitin kur u themelua Partia. Logjikë të ngjashme gjen edhe sot te disa politikanë kryesorë – historia nis me ta dhe kundërshtari politik është armiku i atdheut dhe popullit shqiptar.
Më vonë, me mbylljen, etnokomunizmi enverist ka tipare të forta naziskine. Raste mund të gjesh edhe në ligjërimin e përditshëm ku përforcohet dallimi etnik, seksual apo racor.
Politologia Hana Arendt thotë për propagandën e sistemeve totalitare se ato nuk kanë për qëllim të të mbushin mendjen, por të të vënë në dyshim ato që di dhe parimet që ke.
Shumë studiues kanë dalë në përfundime se masiviteti i propagandës nën sistemet totalitare sillte që qytetarët të tregoheshin mospërfillës ndaj shkeljeve dhe vrasjeve që bëheshin në një fshat diku larg.
Këto janë disa nga parimet themelore të propagandës naziste sipas ministrit të Propagandës Jozef Gëbels:
1 – Gjithmonë mbaje popullin ndezur. Mos e lejo kurrsesi që të ftohet.
2 – Mos e prano kurrë se nuk po vepron mirë apo se ke bërë gabim.
3 – Kurrë mos prano se kundërshtari ka epërsi në ndonjë aspekt.
4 – Kurrë mos i lejo tjetrit një tjetër zgjedhje përveç tëndes.
5 – Mos merr kurrë përsipër ndonjë faj.
6 – Përqendrohu vetëm tek kundërshtari dhe për gjithçka që shkon keq, ngarkoja fajin atij.
7 – Besohen më shpejt gënjeshtrat e mëdha në krahasim me gënjeshtrat e vogla.
8 – Nëse e përsërit me shpeshtësinë e duhur një gënjeshtër, në fund vjen dita që e besojnë.
Sot është e domosdoshme që të mësohet një lloj nuhatjeje e rafinuar për të dalluar keqinformimin, propagandën dhe lajmet e rreme. Lufta në Ukrainë dhe bashkimi i boshtit autokrat Moskë – Pekin – Tehran kanë fuqizuar shumë aparatin propagandistik dhe atë të lajmeve të rreme.