Përgjigje “antologjike” ka edhe në “aerealin” shqiptar

Nga Dashnor Kokonozi

Është një që ngurroja ta them se ka në përbërje fjalë të « pista ». Por meqe znj. Eda Dërhemi në një ese të shkëlqyer te « Peizazhe të fjalës » thotë se fjalët e pista nuk ekzistojnë (pak a shumë), po e them.
Ishte një fillim shkurti, mos gaboj i vitit ’97 diku nga ora një a dy e natës dhe ndërsa prisnim të mbyllej revista Klan e të nisej për shtyp, rrinim në një ambient ngjitur ku transmetonte edhe Tv Klan (që mbas mesnate se si lidhej me nje tv francez dhe transmetonte vetëm filma erotikë) dhe Radio Klan, të cilën gjithë natën e mbante gjallë Arjan Çani.
E dëgjoja se nuk kisha ç’bëja tjetër por edhe sepse më pëlqente mënyra se si ai e kishte konceptuar. Kishte një komunikim të shkëlqyer dhe improvizim të pashoq.
Radio ishte direkte dhe nuk shmangje dot aksidentet e rastit nga njerëz që lanin hesapet me njëri tjetrin apo me politikanët. Pastaj, mbyllnin telefonin e zhdukeshin.
Dikur, njëri iu drejtua Çanit personalisht dhe i tha :
– O ka… !- dhe çau e iku.
U hodha përpjetë te karrigia ku po rrija gjysmë i pêrgjumur dhe prita qe Çani të nevrikosej e të përgjigjej në të njëjtën mënyrë.
Hiç fare.
– Rrallë herë qëllon që dëgjuesit e mi të më thonë që fillim emrin e tyre, vazhdoi ai pa u trazuar shumë dhe kaloi në një temë tjetër.

Latest articles

Related articles