Rritja e niveleve të ndotjes së ajrit po merr gjithnjë e më shumë vëmendjen e shkencëtarëve anekënd botës. Së fundmi, në një studim të botuar në revistën “The Lancet Planetary Health”, rritja e ndotjes lidhet edhe me rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve. Studimi përdori të dhënat nga 116 vende të botës, për dy dekada (nga viti 2000 deri në 2018-ën).
Sipas studiuesve, në vitin 2018, rreth gjysmë milioni vdekje të parakohshme ishin të lidhura me rezistencën që bën organizmi ndaj antibiotikëve. Autori kryesor i artikullit, profesori Hong Çen, nga Universiteti Zhejiang, në Kinë, thotë se rritja e cilësisë së ajrit ndikon në luftimin e përhapjes së baktereve rezistente ndaj antibiotikëve.
Arsyeja kryesore pse shumë ilaçe nuk bëjnë efekt në organizëm, sipas mjekëve, është keqpërdorimi dhe përdorimi i tepërt i antibiotikëve. Ndërkohë, studimi i ri sugjeron se ndotja e ajrit është gjithashtu kontributor i rëndësishëm në përhapjen e baktereve rezistente ndaj antibiotikëve dhe patogjenëve rezistentë.
Nivelet më të larta të rezistencës ndaj antibiotikëve gjenden në Afrikën e Veriut, Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore, ndërsa në Evropë dhe Amerikën e Veriut janë të ulëta. Për shkak të popullatës së tyre të madhe, Kina dhe India mendohet të jenë vendet me numrin më të lartë të vdekjeve të parakohshme nga rezistenca ndaj antibiotikëve.
Imazhi ilustrues është qyteti i Tiranës, në një ditë normale, i fotografuar nga mali i Dajtit.