Qeveria greke, në koordinim me autoritetet lokale, do të ofrojë një javë pushim falas për turistët që u detyruan të ndërpresin pushimet e tyre për shkak të zjarreve shkatërruese në ishullin Rodos në korrik. Këtë e bëri të ditur kryeministri grek Kiriakos Micotakis në një intervistë për televizionin britanik ITV. Turistët do të mund të përfitojnë nga oferta në pranverë ose në vjeshtë të vitit 2024 dhe do të kenë mundësinë të vizitojnë sërish ishullin. Micotakis kujtoi se rreth 20 000 njerëz u evakuuan gjatë zjarrit dhe për shkak të veprimeve në kohë, nuk pati viktima apo të lënduar. “Kemi pasur gjithmonë zjarre, por ajo që ndryshoi për shkak të ndryshimeve klimatike është intensiteti i tyre”, tha kryeministri grek, duke vënë në dukje se zjarri preku 1/5 e Rodosit, por se ishulli tani iu kthye jetës normale dhe se Greqia është një vend i sigurt.