A u përjashtua Anëtarësia e PD? – Nga Indrit Vokshi

Botëkuptimi që Sali Berisha ka mbjellë në mendjen e fansave të tij fanatikë, është se Partia Demokratike, anëtarësia a saj, përbëhet nga fansat e Sali Berishës.

Nëse nuk je fans i Sali Berishës, ti nuk quhesh demokrat. Kjo nuk është e vërtetë, pasi janë mijëra demokratë që nuk janë fansa personalë të tij.

Ketë botëkuptim ai e ka financuar edhe në media; sot sheh gazetarë të cilët pyetjet i formulojnë duke marrë si të mirëqenë se PD është pronë e Sali Berishës. Ata kur të pyesin, sikur po rebelohen, sikur po pyesin me nerv qortues; si guxoni ju ta shpronësoni Sali Berishën nga PD?

Nëse iu kujtohet shtatori i vitit 2021 kur ndodhi përjashtimi dhe nisi foltorja, përbetimet e fansave fanatikë ishin: “Kurrë sdo votojmë PD, sepse ska PD pa Sali Berishën”.

Dmth ata qysh aty përjashtuan veten. Sepse ata, veten e tyre nuk e lidhnin me partinë si parti por me Sali Berishën si person. Është e drejta e tyre ta lidhin kështu, mirëpo nëse e lidhin kështu, nuk u ka askush borxh.

Praktikisht askush ska përjashtuar askënd. Kanë ikur vetë, kanë ikur me vullnet të plotë, madje kanë ikur me qejf të madh, duke sharë, duke akuzuar PD-në si të shitur e si tradhëtare. Punë për ta..!

Ata edhe po t’i ftosh, nuk aderojnë më në Partinë Demokratike sepse për ta, PD o duhet të jetë shërbëtore e Sali Berishës, o sduhet të ekzistojë hiç si parti. Prandaj ngjan krejt i çuditshëm pretendimi se u përjashtua anëtarësia.

Cila anëtarësi u përjashtua? Kush ka dashur të jetë anëtar i PD, vazhdon të jetë anëtar. Ata që nuk dëshirojnë, nuk janë anëtar. Çfarë ka të paqartë këtu?

Premtimi i tarafit Berisha, se ata rikthehen por me kusht që të mos zgjidhet Lulzim Basha kryetar, është poshtërim total për PD-në, sepse smund ta përcaktojë Sali Berisha se kë zgjedh kryetar PD-ja. Erdhi kjo ditë dmth..!

Tek ky premtim fle edhe Hilja e Madhe e Sali Berishës.

Ai, tarafi i tij, tmerrohen dhe nervozohen pse PD do të zgjedhë kryetar legjitim dhe do të nisë të funksionalizohet, pa qenë e kontrolluar nga ata. Sepse me zgjedhjen e kryetarit të PD, ndodh diçka:

Edicionet e lajmeve do shqiptojnë: “Kryetari u PD, z.Lulzim Basha..” (jo më Sali Berisha).

Emisionet televizive do të ftojnë “Kryetarin e PD z.Lulzin Basha” (jo Sali Berisha).

Kohën parlamentare sipas ligjit do ta marrë “Kryetari i opozitës z. Lulzim Basha” (jo Sali Berisha).

Takimet me europianë e amerikanë si dhe konsensusin për reformat dy palëshe do t’i zhvillojë “Kryetari i PD z.Lulzim Basha” (jo Sali Berisha).

Për më tepër, tarafxhinjt, parashikojnë se këto janë kohëra interesante, se ndryshimet politike po ndodhin aq shpejt e aq rrënjësisht. Nëse parashikojnë se do të mbeten midis katër rrugëve, pa parti, pa përfaqësim dhe të damkosur si interesaxhinj të vegjël që ngahën pas Sali Berishës të dehur nga premtimi për plaçkë, fatkeqësisht ska kush i ndihmon. Ky është fati i çdo bixhozxhiu politik.

Ata nuk tmerrohen nga Basha si person. Tmerrohen nga funksionalizimi i diçkaje që nuk e kontrollojnë e aq më tepër në një epokë që nuk i favorizon, pasi lideri i tyre është 80 vjeç, jo 40 vjeç.

Plani i Sali Berishës është ky: Meqenëse nuk mundi ta grabisë PD-në me forcën e korrupsionit në Apel, sepse doli dikush më i fortë (ShBA), ai ka kaluar tek Plani B; synon ta mbajë PD-në jo-funksionale, sa më gjatë të jetë e mundur.

Duke e mbajtur jo-funksionale, atij i mbetet fushë e lirë dhe mbetet i vetmi person që flet në emër të opozitës. Pra synon monopolin e opozitës.

Funksionalizimi i PD-së ia shkatërron ketë plan. Edhe sikur një 15 vjeçar të zgjidhet në krye të PD, ia shkatërron ketë plan sepse i thyen monopolin.

Duke asgjësuar politikisht kokën e “grupit Basha” siç veproi me grupin Topi të cilit ia hoqi deputetët apo me grupin Olldashi të cilët i nxorri me 20% në garën e 22 korrikut 2013, atij i hapet rruga për të mbetur i vetëm në krahun e djathtë e për të caktuar trashëgimtarin e ri të tarafit. Çdo trashëgimtar i ri do ta kishte të lehtë nëse fusha e të djathtës do të ishte bosh.

Sot kjo bëhet e pamundur sepse “grupi Basha” nuk është fraksion. Ka 71 kryetarë degësh, ka 71 kryesi, ka Këshill Kombëtar e Kryesi Kombëtare. Ka legalitetin, është PD, kandidon si PD, njihet si PD. Ka edhe mbështetje të fortë nga ShBA. Pra ky nuk është grup si grupet e mëparshme. Kjo është vetë partia.

PD po shkon drejt funksionalitetit dhe asgjë mos bëftë, nuk lejon më monopolin e një personi në krahun e djathtë. Prandaj ka tension, prandaj ka tektonikë; luajnë pllakat, nxiten xhelozitë, paguhet leku, kujtohen nderet, kërkohen borxhet.

Irritimi se u përjashtua anëtarësia është pretekst i dobët pas të cilit kamuflohet e fshihet diçka tjetër. Thjesht nuk janë llogaritur ata ish-anëtarë që nuk dëshirojnë të vijnë! Çfarë, a do t’i detyrojmë me zor të vijnë?

Latest articles

Related articles