Shqipërinë në diktaturë po e çon “E Djathta” – nga Indrit Vokshi

E Majta ketë qëllim ka pasur gjithmonë. Nuk ka pretenduar ndonjëherë shtet demokratik dhe demokraci liberale e kushtetuese. Me atë cinizmin e vet gati kriminal, ka qenë e sinqert me shoqërinë shqiptare, nuk ka premtuar asnjëherë demokraci liberale. Ka luftuar gjithmonë për shtet kontrollues e dominant.

Shihni Edi Ramën, prej 10 vjetësh atë nuk e keni dëgjuar duke përmendur fjalët “demokraci”, “votë”, “liri e individit”, “ekonomi e lirë”, “shtet kushtetues e ligjor.” Nuk i përmend sepse nuk i ka si projekt.

Flirti historik i socialistëve shqiptarë ka qenë me Beogradin, Moskën dhe Pekinin. Të tre këto kryeqytete (qendra pushteti) nuk kanë qenë ndonjëherë promovuese të demokracisë liberale dhe shtetit kushtetues. Thjesht nuk është “feja e tyre”. Ata promovojnë kontrollin partiak mbi ekonominë, shtetin, shoqërinë, median e gjithçka.

Socialistët sot edhe pse janë të lidhur me ShBA si aleancë pushteti, nuk e kanë humbur natyrën totalitare e cila i çon drejt ndërtimit të shtetit kontrollues anti-demokratik.

Po të djathtët shqiptarë cilën “fe” predikojnë?

Kur ShBA shkatërruan komunizmin në shkallë ndërkombëtare, supozohej se E Djathta në Shqipëri do të adoptonte dhe predikonte “fenë” e Washingtonit. Duke promovuar dhe identifikuar veten me votën, lirinë e individit, favorizimin e sipërmarrjes private, me shtetin kushtetuese, me median e lirë, E Djathta do të krijonte sistemin e vet.

Shqiptarët do të kishin dy oferta, nga një anë socializmin dhe shtetin kontrollues, ndërsa nga ana tjetër shtetin liberal, ekonominë e lirë, shoqërinë e bazuar tek mirëqenia e individit. Thënë paksa trashë kjo.

Do kishin nga njëra anë Të Djathtën të lidhur ngushtë me ShBA-të sepse do të predikonte fenë e tyre dhe sistemin liberal. Ndërsa nga ana tjetër do kishin Të Majtën skeptike për rolin e Amerikës në botë.

Për çudi, E Djathta në vend që të ishte “agjenti në terren” që zbaton demokracinë liberale e kushtetuese, në vend që të ishte hapsira ku mblidhen liberalët, anti-komunistët, anti-fashistët, njerëzit kundër kontrollit shtetëror, njerëzit që duan shtet pro ekonomisë, njerëzit që duan sistem bazuar mbi institucionet, ajo na u kthye në parti fisnore, tribale, dhunues e votës, anuloi instutucionet dhe proklamoi se Sali Berisha është institucion. E Djathta themeloi një hibrid të çuditshëm; demokracinë fisnore e tribale të një bajraktari. Demokracinë personale.

Pluralizmi e demokracia na u paraqitën të përmbledhura tek një person; nëse nuk është ai person, ska demokraci. E për ironi personit në fjalë nuk mundesh t’i gjesh asgjë demokratike në jetën e tij politike.

E Djathta tradhëtoi sepse shkoi e i ngjau të Majtës, veçse në formë më vendore-primitive, jo aq ndërkombëtare.

Detyra e të Majtës është kontrolli shtetëror i shoqërisë. Ndërsa detyra e Të Djathtës është e kundërta, është shteti kushtetues, demokracia liberale, ekonomia e tregut, shoqëria e bazuar mbi individin e lirë e të mirëqenë.

Jo vetëm ka braktisur detyrën për të qenë promotore dhe mbrojtëse e demokracisë liberale por ka shkuar shumë larg; një pjesë e saj është kthyer në batalion anti-amerikan.

Si mund të ketë demokraci liberale pa ShBA? Dikur, po të doje të mbaje gjallë katolicizmin, lidheshe me Vatikanin. Për muslimanizmin lidheshe me Stambollin. Për ortodoksinë me Shën Peterburgun. Për të mbajtur gjallë komunizmin, celulat lidheshin me Moskën. Edhe për të mbajtur gjallë demokracinë liberale duhet lidhje me Washingtonin. Sepse atje e ka selinë kjo fe.

E Majta po e kryen detyrën e saj, po e instalon shtetin kontrollues. E Djathta e ka braktisur detyrën, nuk po mbron demokracinë liberale. Prandaj mund të thuhet se diktatin po e ndihmon E Djathta, duke dezertuar nga detyra, duke u katandisur në tribale, anti-demokratike, anti-votë dhe anti-amerikane.

Nëse E Djathta do të ishte duke ushtruar detyrën e saj, Shqipëria do të ishte e balancuar dhe shumë më demokratike.

Latest articles

Related articles