Shpërthim spektakolar i vullkanit në Islandë

Për të tretin vit radhazi, Islanda ka përjetuar një shpërthim spektakolar të vullkanit pranë aeroportit kryesor ndërkombëtar të vendit.

Shpërthimi nisi pasditen e së hënës në të njëjtin gadishull në jug-perëndim të kryeqytetit Rejkjavik, ku llava që flluskonte dhe shpërthente kishte avancuar në sipërfaqen e Tokës në dy vitet e mëparshme.

Është e paqartë se për sa kohë do të jetë i dukshëm spektakli natyror i përtërirë, i cili dukej se po zbehej ditën e sotme.

Sipas qeverisë islandeze, nuk do të ketë asnjë ndërprerje në trafikun ajror.

“Shpërthimi nisi dje rreth orës 16:40, drejtpërdrejt në veri-perëndim të malit Litli-Hrútur në gadishullin e Rejkjavikut”, njoftoi autoriteti meteorologjik islandez.Fillimisht, u hap një çarje prej 900 metrash dhe llava nisi të rridhte shumë më shpejt se në shpërthimet e mëparshme.

Por, aktiviteti ra ndjeshëm ditën e sotme, siç tregohet nga pamjet live në zonën vullkanike.

“Tani ka një rënie të shpërthimit, që është një lajm shumë i mirë,” tha gjeofizikani, Magnús Tumi Gudmundsson për transmetuesin islandez RÚV.

Plasaritja është ndërprerë dhe rrjedha e llavës është zvogëluar, si dhe zhvillimi i gazit.

Për fat të mirë, shpërthimi nuk po evolon siç dukej në orët e para të mëngjesit.

Shpërthimi nuk ishte ashtu siç mund ta imagjinojnë shumë njerëz, një shpërthim klasik i vullkanit.

Në vend që llava të lëshohej në ajër nga një vullkan në formë koni, llava shpërtheu nga një çarje e zgjatur në tokë, e njohur si shpërthim i çarjes.

Pamjet e drejtpërdrejta nga zona, treguan shtëllunga tymi mbi llavën e ndezur.

Udhëtarët u këshilluan të shmangnin zonën derisa ekspertët të kishin vlerësuar kushtet.

Shpërthimi është rreth 40 kilometra nga Rejkjaviku, në majën jugperëndimore të ishullit, jo shumë larg aeroportit kryesor ndërkombëtar të kryeqytetit.

Nëse shpërthimi vazhdon, spektakli mund të tërheqë përsëri turma të shikuesve, duke përfshirë ekspertë të vullkanit dhe turistë, ashtu si gjatë shpërthimeve të mëparshme në 2021 dhe 2022.

“Sipas gjasave shpërthimi nuk do të jetë i madh, por mund të zgjasë shumë. Shpërthimi në 2021 zgjati gjashtë muaj, në 2022 vetëm disa javë”, tha eksperti i vullkanit Gudmundsson.

Shpërthimet e mëparshme vullkanike në gusht 2022 dhe më parë në mars 2021 u paraprinë nga tërmete të shumta.

Latest articles

Related articles