“Arrestimi i Ahmetaj do të shqyrtohet javën e ardhshme”- Bardhi debaton me Nikollën: Po i jepni kohë të arratiset

Mbledhja e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt ka nisur me debate.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla njoftoi që çështja do të shqyrtohet në seancën e javës së ardhshme.

Nga ana tjetër, opozita është kundërpërgjigjur duke akuzuar qeverinë se po ndihmon arratisjen e ish numrit dy të kabinetit qeveritar. Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i është drejtuar Nikollës duke i thënë se qeveria po bashkëpunon me krimin.

Bardhi ka kërkuar që çështja të përfshihet në rendin e ditës së seancës plenare që do të mbahet të enjten, duke mos vonuar procedurat për arrestimin e ish zv/kryeministrit, Arben Ahmetaj.

“Po bashkëpunoni në krim, mos i jeni më shumë kohë Arben Ahmetajt që të fshihet. Boll e zvarritët çështjen. Të përfshihet në Rend Dite të seancës plenare të ditës së nesërme dhe të japim autorizimin Prokurorisë që të veprojë. Mos pengoni drejtësinë. Opozita e ka gati raportin, të veprojmë pa asnjë vonesë, të shqyrtojmë e miratojmë nesër”, ka thënë Bardhi.

Sipas SPAK, ish-zv.kryeministri dyshohet se ka kryer veprat penale:

“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë, neni 25 i K.Penal,

“Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë;

“Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal.

Latest articles

Related articles