nga Ermal Hasimja
Në protestë ka të djathtë e të majtë, konservatorë të stazhionuar dhe aktivistë LGBT, laissez-faire-istë dhe marksistë, pasardhës të gjyshërve partizanë e ballistë, myslimanë e të krishterë, të rinj e pensionistë, etj, etj. Me shumë të drejtë, jo vetëm që kjo nuk shihet si problem, por konsiderohet si pika e fortë e protestës. Pse? Për shkak të qëllimit të përbashkët: largimin e Ramës.
A nuk do të duhet të shihej po njësoj edhe bashkimi i opozitës mbi të njëjtën kërkesë dhe një reflektim e nisje reformimi? Forumi i Dialogut Politik bëri bashkë partitë kryesore të opozitës për një sistem proporcional kombëtar me koalicione parazgjedhore. Por kjo nuk mjafton. Opozita duhet:
- Të rimendojë dhe riorganizojë veten në kontekstin e ri të krijuar nga protesta.
- Të bashkohet rreth të njëjtit qëllim që ka edhe protesta.
- Të përgatitet për një ofertë të përbashkët politike për qytetarët: më shumë integritet, më pak populizëm, më shumë angazhim.
Protesta ka vlerë të jashtëzakonshme, sepse vuri në vështirësi themelore qeverisjen dhe ekspozoi bashkëpunimin e saj me krimin e organizuar dhe klientët e Rilindjes. Gjithashtu protesta i konfirmoi opozitës se është koha për reformim serioz. Por protesta nuk e zëvendëson dot kuvendin. Ndryshimi mund të vijë vetëm me votë. Kur të vijë dita opozita duhet të jetë gati dhe e bashkuar.



