“Aleanca e Subjekteve të SPAK” dhe lufta kundër PD!


Nga Poli Hoxha

Në 12 qershor në Pallatin e Kongreseve, Edi Rama, duke folur për fitoren e 14 majit i hodhi uji zjarrit të entuziazmit të kupolës socialiste. Ai paralajmëroj se zgjedhjet e vitit 2025 nuk do të jenë si këto të 14 majit dhe se gjasat janë që atëherë, do të marrin një shuplakë elektorale të pashmangshme. Pas kësaj ai riktheu parullën e fushatës së vitit 2013, “përtej së majtës dhe të djathtës”. Duket se kryeministri po e lexon më qartë se Sali Berisha, e madje edhe se Gazmend Bardhi me shokë e shoqe, rezultatin politik të 14 majit.

Ai ishte ky: Partia Demokratike pa kandidatë në shumicën e bashkive, pa fushatë, e sabotuar nga brenda nga një pjesë e mirë e lidershipit që punoj hapur për Rithemelimin dhe BF, mori plot 104 mijë vota mbijetese. Ajo pak fushatë që u bë publikisht nga Enkelejd Alibeaj dhe Roland Bejko, u përqendrua te goditja e Trekëndëshit Rama-Berisha-Metaj.

Pra ato mbi 100 mijë vota ishin një shënjestrim i pastër kundër Ramës dhe Berishës. Nga ana tjetër, rreth 700 mijë votues bojkotuan. Këta nuk e goditën me votë treshen, por e injoruan dhe madje e poshtëruan duke shfaqur neveri të hapur me braktisjen e procesit farsë.

Nëse zbërthejmë frikën dhe alarmin e Edi Ramës të shfaqur në Pallatin e Kongreseve, ajo mund të analizohet kështu:

Në zgjedhjet e vitit 2025 nuk mund të përdorim dot sërish Sali Berishën dhe Ilir Metajn, për të trembur shqiptarët me një rikthim të tyrin në pushtet. Kjo pasi me këtë teknikë dhe alibi, PS mori vërtet “shumicën” e votave që u hodhën në kuti, por kjo ishte një shumicë e pakicës dhe e stimuluar fortë nga makineria e pushtetit.

Shumica reale janë bojkotuesit dhe 104 mijë votat e PD. Nga ana tjetër si njeri që ka informacion të dorës së parë, Edi Rama, e di shumë mirë se deri në vitin 2025 proceset penale që po ndiqen me shpejtësi në SPAK, do ta shkretojnë turpshëm kupolën e pushtetit të tij, të Rithemelimit dhe të Metaj njëkohësisht. Imagjinojeni; as Rama nuk vë më bast te Berisha, siç po bën Gaz Bardhi me shokë e shoqe!

Gjithashtu ai e di shumë mirë që SHBA dhe Perëndimi do të investohen fortë në vazhdim për fuqizimin e një opozite, e cila nuk ka punë me SPAK, që nuk është zyrtarisht dhe informalisht “non grata’ prej tyre dhe mbi të gjitha; është e projektuar për ti dhënë fund tranzicionit korruptiv-kriminal, duke udhëhequr reforma të thella.

Ambasadori i SHBA, David J. Kostelancik, i cili zëvendëson Yuri Kim dhe mbërrin në Tiranë në fillim të muajit korrik, një nga detyrat më kryesore që ka për mandatin e tij është fuqizimi i opozitës shqiptare euroatlantike dhe antikorrupsion. Kjo është e shkruar, por e pashkruara flet për fundin e epokës Berisha-Rama-Metaj në vitin 2025 dhe pse jo, edhe më herët sipas zhvillimeve.

Kjo nuk është dëshirore dhe as thjesht një projekt teknik i perëndimorëve, por emergjencë, lexim i situatës politike-ekonomike dhe mbi të gjitha gjeopolitike. Presidenti Biden e shtyu edhe një vit Aktin që shpall klasën politike të korruptuar në Ballkanin Perëndimorë, si rrezik kombëtarë të SHBA dhe Perëndimit.

Në këtë situatë dhe me ndihmën e SPAK, Rama-Berisha-Metaj shumë shpejt do ta gjejnë veten si gërmadha të politikës shqiptare. Pas kësaj vjen “Plani Marshall” i Shqipërisë post tranzicion. Çështja është se këtë proces dialektik të cilin e shtynë të paktën dy vite, duke sulmuar dhe thërrmuar egër PD-në, po synojnë ta shtyjnë edhe më shumë në kohë. Për kaq po luftojnë faktikisht; të blejnë të kaluarën e tyre korruptive dhe kohën e duhur për të tejkaluar edhe vitin 2025 me qëllim final; paralizimin e drejtësisë për ato që kanë bërë.

Kjo betejë finale që nuk ka lidhje thjesht me fatin e tyre politik por më së shumti me atë penal dhe pasuritë, duket se po e nxjerr aleancën Rama-Berisha mbi ujë. Kur Rama deklaroi emergjencën e projektit “përtej të majtës dhe të djathtës”, natyrisht që nuk e ka pasur për shumicën bojkotuese dhe 104 mijë votat e PD në 14 maj. Pozicionimi i tyre është i qartë dhe i panegociueshëm.

Ashtu si në vitin 2013 kur shpalli “përtej së majtës dhe të djathtës”, edhe tani ky projekt në thelb është sërish, “aleanca e qelbësirave”. Atëherë e bënë për rotacion politik por pa prekur pushtetin ekonomik, sot “Aleanca e qelbësirave”, ka hall burgu dhe pasurie. Nëse ndjek fijet e pasurive dhe të proceseve penale në SPAK, do ta kuptoni pse kjo aleancë po lufton sot “për jetë a për vdekje” .

Deri në 14 maj, Trekëndëshi dukej i qetë dhe në lojë perfekte mes tre brinjëve. Por shumica e bojkotuesve dhe ato 104 mijë votat e PD-së, u prishën planet.

Rikthimi i Lulzim Bashës për të nxjerrë nga letargjia PD-në, shpalosja e një projekti të qartë për shembjen e kësaj kaste dhe Tranzicionit, shpallja e “Aleancës Qytetare Demokrate” si opozita që vjen në pushtet në vitin 2025, i ka bërë bashkë edhe për një herë të fundit, por këtë herë hapur dhe pa skrupuj formalë.

Të gjitha mediet dhe analistët e Edi Ramës, janë bërë bashkë me ato/ata të Berishës dhe Metajt dhe po sulmojnë zgjimin e Partisë Demokratike. Kanë futur në lojë duke i keqpërdorur turpshëm, edhe Gazmend Bardhin e kompani.

Duket sikur e kanë me Lulzim Bashën, por në fakt e kanë me atë që është e sigurt se do të ndodhë në vitin 2025.

Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Metaj dhe kasta që përfaqësojnë e bëjnë për fatin e burgut dhe pasurisë, po lëvizja ‘gazbardhiste” brenda PD çfarë halli ka?!

Çfarë i shtyn të bëhen pjesë e bashkimit në “Aleancën e Subjekteve të SPAK” e cila i ka hapur luftë ringritjes së PD?!

Gjithsesi çfarë ka për tu bërë do të bëhet; ky është një proces historik për Shqipërinë që nuk mund të ndalet dot nga askush. Historia ka ballkon, ka bodrum, ka edhe hale. Kushdo e ka në dorë vetë, që ta zgjedhë vendin ku do të jetojë në historinë e Shqipërisë post tranzicion./Alfapress.al

Latest articles

Related articles