Rebelimi në Rusi| Putin telefonatë me Erdoganin: Morëm mbështetje nga Turqia

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun rus Vladimir Putin. Lajmin e ka bërë të ditur zyra e kreut të shtetit turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Në bisedën telefonike të zhvilluar mes Putinit dhe Erdoganit është diskutuar mbi krizën e brendshme që ka përfshirë Rusinë, ku grupi Ëanger është rebeluar ndaj regjimit të Kremlinit.

Erdogan nënvizoi rëndësinë e veprimit të përbashkët dhe sipas tij, Turqia është e gatshme të bëjë pjesën e saj për të zgjidhur situatën në një mënyrë paqësore dhe të qetë, sa më shpejt të jetë e mundur.

Nga ana tjetër, Kremlini konfirmoi telefonatën e zhvilluar midis dy liderëve, duke thënë se Erdogan premtoi mbështetje të plotë për Putinin, transmeton CNN.

“Me iniciativën e palës turke, Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti i Rusisë informoi për situatën në vend në lidhje me një tentativë rebelimi të armatosur. Presidenti i Republikës së Turqisë shprehu mbështetjen e plotë për hapat e ndërmarrë nga udhëheqja ruse”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e shtypit e Kremlinit.

Ndërkaq, kreu i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin pretendon se ata kanë hyrë në qytetin jugor të Rostov-on-Don dhe morën kontrollin e shtabit ushtarak jugor pa hapur zjarr.

“Pa asnjë të shtënë, ne kapëm ndërtesën e selisë. Ne nuk kemi ndërhyrë në punën e asnjë personi”, tha Prigozhin në një postimin në Telegram.

Ai pretendon se ka marrë edhe mbështetjen e qytetarëve sepse, sipas tij, veprimet e tyre janë të drejta, duke shtuar se ushtria ruse ka sulmuar autokolonat e tyre.

“Pse na mbështet vendi? Sepse ne po bëjmë një marsh drejtësie. Na sulmuan që në fillim me artileri dhe më pas me helikopterë. Nuk kemi prekur asnjë rekrut të vetëm. Nuk vramë asnjë person gjatë rrugës”, shtoi Prigozhin.

Megjithatë, media shtetërore ruse raporton se disa të shtëna armësh dhe një shpërthim janë dëgjuar jashtë selisë së Qarkut Ushtarak Jugor.

Ndërkohë një kolonë e Wagner me automjete të armatosura është duke udhëtuar në rajonin në jug të Moskës. Edhe Voronezh është një nga dy qytetet, pas Rostov-on-Don, në të cilin mercenarët e Wagner thuhet se kanë marrë kontrollin.

Prigozhin akuzon ushtrinë ruse për një sulm vdekjeprurës ndaj forcave të tij në Ukrainë, ku trupat Wagner po luftojnë për Rusinë, por Moska e i ka mohuar këto pretendime.

Presidenti i Rusisë, Vladimi Putin ka dënuar rebelimin e grupit mercenar Wagner, duke e konsideruar si “tradhti të lartë”. Në fjalimin e tij, Putin tha se ata janë “mashtruar në një aventurë kriminale, ndërsa theksoi se e ardhmja e Rusisë është në rrezik, duke i përshkruar veprimet e kryengritësve si një “thikë pas shpinë”.

Latest articles

Related articles