Faleminderit Silvio! – nga Lavdrim Lita


Nga Lavdrim Lita

Në Itali, sharësit e ish-kryeministrit Silvio Berluskoni, në media, ishin më të shumtë sesa lajkatarët afër tij. Neutralët ishin neutralë. Qëkurse hyri në fushën e politikës më 1994, pas triumfeve të shumta si sipërmarrës ndërtimi: pronar i ekipit të futbollit Milan, pronar super-marketesh gjigante, pronar i rrjetit televiziv Mediaset, sipërmarrje ndërtimi, etj, me një pasuri prej 9 miliardë dollarësh, Silvio Berluskoni është sulmuar me të gjitha mënyrat e mundshme nga mediat me pronarë të majtë të skajshëm dhe nga një prokurori e politizuar deri në eksese jakobine. Lexo: 109 gjyqe, 2500 seanca, 530 sekuestrime, dhe 200 milion euro të shpenzuara për avokatë janë të gjitha numrat që tregojnë për odisenë gjyqësore të pandehurit,  Silvio Berluskoni. Nuk ka krahasime në Itali, dhe as në botë për këtë persekutim penal. Të gjitha proceset e hapura ndaj tij, ndaj sipërmarrjeve të tij, ndaj ministrave dhe miqve të tij, kanë pasur qëllimin për të dëmtuar sa më shumë, për ta nënshtruar derisa ta shkatërronin.

Megjithatë Silvio Berluskoni nuk bëri asnjë ditë burg, kjo dhe meritë e ligjeve të posaçme “ad personam”, për të mbrojtur sa mundej vetveten. Afërmendsh 4 qeveritë Berluskoni janë më një bilanc pozitiv. Dhe për aq sa mund të thuhet Italia ka qenë një vend dinjitoz me Berluskonin kryeministër.  “Revolucioni liberal”, i propozuar prej tij në 1994 nuk u realizua kurrë, ndërsa një revolucion antropologjik të italianëve, nëpërmjet televizioneve komerciale, ia ka dalë ta realizojë.

Këndej Adriatikut kanalet televizive (Canale 5, Italia 1, Rete 4) të Berluskonit, i hapën kanatat e mendjes shqiptarëve, për të imagjinuar se ekzistonte një jetë më e mirë. Duhet patjetër thënë se Ai ishte i vetmi politikan italian që shkoi në Brindisi, pas fundosjes së anijes “Katër të Radës” plot me shqiptarë në vitin 1997, kur e majta në qeveri mbylli sytë përballë tragjedisë. Një faleminderit nuk i mohohet askujt.

Partia e Berluskonit ka qenë gjithmonë vetë “Berluskoni elektoral”, i premtimeve me buzëqeshje “Më pak taksa për të gjithë”, i cili që nëpërmjet një rrjeti miqësor/nderesh dhe falë televizioneve, arriti të krijojë të djathtën konservatore dhe liberale, duke mbushur kështu vakumin e lënë nga balena politike “DC”, Partia Demokracia-Kristiane, e fundosur pas skandalit të ryshfeteve të “Tangentopoli”.

Me vdekjen e tij mbyllet kështu një epokë 30 vjeçare, në të cilët Berluskoni me të mirat dhe të këqijat e tij, përfaqësonte një element novator të spektrit politik italian. Një pjesë e opozitës e ka shtyrë kundërshtinë ndaj Berluskonin deri në atë pikë sa mund të thuhet pa frikë se në Itali, për vite me radhë, ka qenë një opozitë “anti”, kundër çdo lëvizje dhe kundër çdo reforme të propozuar prej tij.

Silvio Berluskoni ishte një tip që nuk tërhiqej lehtë nga skena politike. Ai luftonte deri në fund!

Latest articles

Related articles