Tabaku takime në Maqedoninë e Veriut për çështjen e integrimit të rajonit

Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane të Kuvendit të Shqipërisë, znj.Jorida Tabaku, ishte në një vizitë në Maqedoninë e Veriut për të marrë pjesë në takimin e parë mes tre komisioneve të çështjeve të integrimit Europian.

Pas takimit me kryetarin e Komunës së Tetovës, njëherazi kryetar i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, znj. Tabaku vazhdoi turin e takimeve në Shkup. Në qendër të axhendës ishin takimet me faktorin politik shqiptar, me fokus procesin e integrimit Europian, për më së pari lidhja mes shteteve ku jetojnë shqiptarët.

Gjatë takimit të mbajtur në sallën “Trajkovski” në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, znj. Tabaku u ndal në rëndësinë e procesit të integrimit dhe praninë e këtij procesi tek qytetarët, duke theksuar faktin se procesi i integrimit është realisht transformues kur qytetarët përfitojnë prej tij.

Pjesë e agjendës ishin takimet me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferri dhe zvkryeministri Artan Grubi me të cilin u diskutua lidhjet infrastrukturore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Znj.Tabaku theksoi se në fushën e investimeve të huaja Maqedonia e Veriut është më përpara Shqipërisë duke përthithur më shumë investime.

Me kryetarin e BDI, Ali Ahmetin, takimi u fokusua në ndryshimet e kërkuara kushtetuese të Maqedonisë së Veriut dhe interesin e rajonit në procesin e integrimit. Palët dakordësuan se integrimi i rajonit është jetik dhe i domosdoshëm, duke parë rrezikun rus që është krijuar në rajon, veçanërisht pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë.

Në fund të agjendës znj. Tabaku u takua edhe me deputetët e VRMNO-s, me të cilët diskutoi çështjet mbi ndryshimet kushtetuese dhe proceset e integrimit europian.

Latest articles

Related articles