E ftuar në auditorët e UET, moderatorja e njohur Dojna Mema ndau me studentët e Komunikimit, disa këshilla sesi të përfitojnë sa më shumë nga vitet e studimit dhe disa këshilla për karrierën, pas dyerve të universitetit. Ajo i inkurajoi të rinjtë të dalin nga bankat e shkollës dhe të krijojnë sa më shumë përvojë jete dhe pune, derisa të gjejnë punën e ëndërruar
Kanë kaluar dhjetë vite nga koha kur ajo ulej në auditorët e Universitetit Europian të Tiranës si studente, ndërsa kthehet në një leksion të hapur me brezin e ri, që presin të diplomohen.
“E di shumë mirë që të jesh i ulur aty, ku je gati të diplomoheshim ka dyshime, pikëpyetje… aq më tepër ku ven nga një vend i vogël si Shqipëria, aq më tepër kur të trumbetohet gjithë kohës në media e rrjete sociale se mundësitë janë të vogla, se nuk ka vende pune, por në fakt nuk është ashtu. Kush do ta gjejë vete, e gjen”, iu drejtua Dojna Mema, studentëve të UET.
Ajo kujtoi se gjatë kohës kur nisi studimet në UET, kishte nisur të punonte në Top Albania Radio, ndërsa më vonë ajo u bë e njohur për audiencat si moderatore e programeve televizive, në Top Channel.
“Por, pyetja që më bezdiste, ishte e famshmja “Çfarë do të bësh pas universitetit?” Duket pyetje e pafajshme, por është frikështënëse, sepse mendon atë punën ideale, punën e ëndrrave dhe atë punën që do të doje të bëje gjithë jetën”.
Ajo iu drejtua të rinjve se është normale të mos e dish çfarë do të bësh pas universitetit, por i inkurajoi ata, të krijojnë sa më shumë eksperiencë.
“Si konkretizohet kjo? Dilni nga bankat e shkollës, ndoshta nuk do të gjeni punën e ëndërruar, por keni kohë dhe mundësi – jeni në të njëzetat tuaja- që të krijoni përvojë për një vend tjetër pune. Eksperienca ju mëson si të raportoheni me kolegët, me drejtuesit. Eksperienca ju mëson si të krijoni një ritëm të ri jete. Nëse në universitet nuk shkon orën e parë se nuk të del gjumi, në punë nuk mund ta bësh këtë”.
Moderatorja e njohur iu drejtua studentëve të mos krijojnë presion tek vetja, por të ndjekin hap pas hapi rrugën se ku do t’i drejtojë jeta.
Ajo foli edhe për sfidat që hasin të sapodiplomuarit, ku punëdhëns të ndryshëm kërkojnë eksperiencë pune. “Punëdhënës të tillë, është më mirë t’i humbësh sesa t’i fitosh.
Ju jeni forca më e madhe që ekziston. Dikush në të njëzetat, kreativ, pa impenjime të rëndësishme familjare, jeni aty për t’i kushtuar kohën dhe energjinë punëdhënësit tuaj. Vlerësoni gjithmonë veten dhe mos lejoni askënd t’ju thotë se nuk jeni mjaftueshëm. Nëse e thotë, është humbja e tij. Një derë që mbyllet, hap një tjetër”, ju tha ajo studentëve.
Ajo ndau me ta edhe rëndësinë që sjell mbajtja e listave, duke thënë se vetë mban të tilla, që nga impenjimet e përditshme – ky tashmë hyn edhe mëmësia, ndërsa ajo është mamaja e një djali të vogël- deri tek ato pesëvjeçare për arritjet afatgjata.
Po ashtu, Dojna i inkurajoi të rinjtë që nuk duan të jenë të punësuar, por që janë kreativë të popozojnë ide startup-esh. “Shkruani sa më shumë dhe kristalizoni. Do e keni më të thjeshtë të qartësoni idetë”.
E pyetur nga studentët, se cili është pasioni më i madh, mes radios dhe televizionit, Dojna Mema ndau me ta, sesi një audicion për Digitalb, e bëri të ndryshonte mendim.
“Kur kam nisur punën në radio, mendoja se do të bëja radio të gjithë jetën. Nuk e doja televizionin, nuk më pëlqente, më dukej sipërfaqësor, shumë i lustruar. Një vit pasi kisha hyrë në radiom më propozuan të isha në Digitalb. Fillimisht thashë jo, por falë zotit, një kolege më shtyu të shkoja në audicion dhe zbulova dashurinë e vërtetë”.
Ajo tha se oferta më e madhe televizive ishte prezantimi i festivalit të muzikës “Top Fest”, ndërsa tha se u ngjit në skenën e Pallatit të Kongreseve, kur ishte vetëm 22 vjeç.
“Fama nuk ka qenë kurrë ajo që doja të arrija në jetë. Nëse nisni për famë apo nisni një biznes për të bërë para, nuk ka për të pasur sukses; paratë dhe fama vijnë si rrjedhojë”.
Sot tha ajo, pasi zbuloi magjinë e komunikimit me zë dhe imazh, mund të thotë se televizioni është ajo që i pëlqen të bëjë.
Ajo zbuloi më tej detaje nga karriera, duke thënë se pas prezantimit të Top Fest, mori një vit pushim për të mbyllur studimet në Shkenca Komunikimi në UET dhe u rikthye në Top Channel, me “Pop Culture”, një emision shumë i dashur- ndau ajo me studentët- pasi në vitin e dytë nuk ishte vetëm prezantuese, por autore e programit. Më pas erdhi eksperienca me “The Voice Kids” dhe “Big Brother Vip Fun Club”.
Ajo ndau me të rinjtë edhe një përvojë të shkurtër në “E diell”. “Ndodh të mos e gjesh veten në një projekt, nuk është hata e madhe. Bëra katër muaj atje, nuk e gjeta vete dhe u spostova në një projekt tjetër”.
Ajo i inkurajoi studentët të maksimizojnë përvojën, nga koha që japin gjatë studimeve të tyre dhe të përfitojnë sa më shumë nga kjo.
.