R. SH. – Vatikan
Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa ftoi të lutemi për popullatat që jetojnë në kufirin ndërmjet Mianmarit dhe Bangladeshit, më shumë se tetëqind mijë njerëz, dëmtuar rëndë nga një ciklon. Më pas kujtoi edhe Rohingya-t e shumtë, “që jetojnë në kushte të pasigurta”.
“Ndërsa përsëris afërsinë time me këto popullsi, u drejtohem përgjegjësve, që të inkurajojnë hyrjen e ndihmave humanitare. I bëj thirrje ndjenjës së solidaritetit njerëzor dhe të solidaritetit kishtar, për t’i ndihmuar këta vëllezër dhe motra tona”.
Viktimat dhe shkatërrimet
Françesku foli për ciklonin Moka në këtë të diel të Rrëshajëve, përballë Sheshit të Shën Pjetrit përplot me shtegtarë. Ciklon, që i goditi dy vendet aziatike më 14 maj, duke lënë pas gjurmë shkatërrimi dhe vdekjeje. Sipas autoriteteve të Mianmarit, shirat e rrëmbyeshme morën 148 jetë, shumica të pakicës Rohingya në shtetin perëndimor Rakhine. Por, sipas burimeve të tjera, numri i të vdekurve është shumë më i lartë. Në Bangladesh, gati gjysmë milioni njerëz, përfshirë mijëra refugjatë Rohingya, kanë humbur gjithçka. Këtu, megjithatë, “një sistem i sofistikuar i menaxhimit të fatkeqësive” ka shpëtuar shumë jetë por, sipas Gwyn Lewis, koordinatore rezidente e OKB-së në Dhaka, infrastruktura dhe shtëpitë janë dëmtuar rëndë.
Thirrje e OKB-së drejtuar juntës së Mianmarit
Kombet e Bashkuara bënë thirrje të ngutshme për 333 milionë dollarë (309 milionë euro) në ndihmë të 1.6 milionë njerëzve, që besohet se janë prekur nga ky shkatërrim. Volker Turk, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut i bëri thirrje juntës ushtarake të Mianmarit që të garantojë hyrjen e ndihmave humanitare, ushqimeve, ilaçeve dhe ndihmave të tjera themelore, jetike për popullatat që jetojnë në rajonet e shkatërruara plotësisht nga cikloni. “Dëmi dhe humbja e jetëve ishin të parashikueshme dhe të shmangshme, gjë që lidhet ngusht me mohimin sistematik të të drejtave të njeriut” – pohoi Turk. Padia e tij ka të bëjë edhe me faktin se “për dekada, autoritetet e Mianmarit kanë privuar Rohingya-t nga të drejtat dhe liritë e tyre dhe kanë sulmuar pa mëshirë grupet e tjera etnike, duke iu kundërvënë përpjekjeve të tyre për të mbijetuar”.