“Shekulli i kozmosit të komunizmit” – Letra e Fadil Kokomani dhe Vangjel Lesho

Nga Kastriot Dervishi

Më 9.7.1979, nga Reparti nr.303 Spaç, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lesho i dërguan nga një letër identike me 36 faqe fletoreje sekretarëve të KQ të PPSH, Ramiz Alia dhe Hysni Kapo, të shkruar “Për Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë”. Letra ishte me sens të fortë kritik ndaj Enver Hoxhës dhe regjimit që ai kish ndërtuar, por mbi baza ideologjike komuniste dhe prosovjektike, në kuptimin se kishte deformuar komunizmin e vërtetë. Letra u bë shkak që të dy të dënoheshin. Të dy arrestuan më 6.8.1978 dhe me vendimin nr.12, datë 30.9.1978 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, u dënuan me 10 vjet heqje lirie, dënim, që iu shtua dënimeve të mbetura. Më 23.2.1979 u arrestuan përsëri dhe me vendimin nr.4, datë 18.5.1979 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, u dënuan me vdekje, pushkatim.
Më 26.8.1978, një letër nga Spaçi dërgoi edhe Xhelal Koprencka për sekretarët e Komitetit Qendror të PPSH-së, Rita Marko dhe Hysni Kapo, por kjo ishte nga pozita të djathta.

Pjesë nga letra Kokomani-Lesho:
Në epokën tonë, në shekullin e kozmosit të komunizmit, natyra më e thellë, më serioze ose më e cekët dhe më pak serioze e një shteti a shoqërie që pretendon se ndërton socializmin, varet nga raporti dhe qëndrimi që ai shtet (në rastin tonë udhëheqje) mban ndaj kozmosit të komunizmit, ndaj Bashkimit Sovjetik, ndaj Tetorit të madh. Tetori i Madh, Bashkimi Sovjetik, Partia Komuniste Bolshevike e BS-së, janë tri nocione që mbeten ndër shekuj gur themeltar i kozmosit komunist.
Po mbushen 18 vjet që udhëheqja shqiptare, duke e çuar vazhdimisht popullin, gjithmonë kurrizpërkulur në greminën më të turpshme që ka parë historia, sulmon pa pushuar, si kukuvajka në errësirë vendin dhe popullin e madh të Tetorit me shigjetat më të pështira e të helmuara!.

Ne, si komunistë e publicistë, të brumosur me idetë e Tetorit të Madh, të Leninit e të Partisë Bolshevike qysh në vegjëli, duke vuajtur nëpër burgjet e kampet tuaja, të cilat ia kanë kaluar përsosmërisë barbare të burgjeve e kampeve fashiste e naziste, pavarësisht se struktura njerëzore e KQ-së ka ndryshuar rrënjësisht, ligji mbetet po ai i Sekretarit të parë, do ta titullonim këtë letër drejtuar Juve e nëpërmjet jush, KQ të PPSH-së, duke e shtuar në formën e dy pyetjeve të mëdha dhe kyçe: “Que Vadis?” dhe “Kush është demingu i kozmosit të komunizmit?”.

Latest articles

Related articles