Familja e Jonadës refuzon të bëhet makiazh i policisë së Edi Ramës

Njësia më e re në Policinë e Shtetit, ajo Detare, e përbërë nga 104 efektivë dhe 35 “jet ski”, nis punën në të gjithë vijën bregdetare.

Kjo njësi do të funksionojë gjatë sezonit veror për të garantuar sigurinë e plazheve dhe respektimin e rregullave, kryesisht nga mjetet motorike ujore.

Plani për krijimin e kësaj strukture të dedikuar sigurisë në plazhe nisi pas ngjarjes tragjike të verës së 2022, ku mbeti e vrarë 7-vjeçarja Jonada Avdia në Himarë pasi u godit nga një mjet lundrues që drejtohej nga oficeri i policisë Arjan Tase. Familja nuk ka pranuar që emri i vajzës së tyre të keqpërdorej për qëllime politike.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë e nisjes së punës së kësaj njësie, theksoi se akti kriminal i atij individi që turpëroi gjithë Policinë e Shtetit, i uli kokën shtetit dhe na bëri të gjithëve të skuqemi si asnjëherë tjetër, duhet tu shërbejë të gjithë punonjësve të policisë si një kambanë alarmi.

“Unë e pata premtuar se kjo njësi të mbante emrin e vogëlushes. Në mirëkuptim të plotë me familjen e saj ramë dakord që kjo gjë të mos bëhet. Por nga ana tjetër ai kujtim duhet të jetë motivi i punës, i mundit dhe motivi i suksesit të kësaj njësie, që ajo humbje e tmerrshme e familjes dhe gjithë popullit shqiptar të shërbejë që fëmijët, prindërit, familjet, vizitorët, turistët të ndjehen të sigurt, të qetë e të lumtur në ato ditë që mezi i presin për të pushuar”, tha Rama.

Latest articles

Related articles