Beteja për Ballkanin: Bashkimi Evropian vs Turqia

spot_img

Nga Sebastian Zonja

Lufta në Ukrainë dhe përballja gjithnjë e më e fortë e Amerikës me Kinën ka bërë që shumë shtete të rëndësishme të mos pozicionohen në skenën globale nëse janë me njërën apo tjetrën palë. Secili prej këtyre shteteve të fuqishme e fsheh këtë neutralitet duke thënë se sheh interesin e vet kombëtar, ndërkohë që shumë studiues thonë se ky veprim vjen si pasojë e brishtësisë së rendit ndërkombëtar që ndodhemi sot. Institucionet ndërkombëtare, rregullat dhe marrëdhëniet globale që kanë nxitur paqen në sferën Perëndimore për thuajse 8 dekada, sot janë në rrezik.

Sipas një raporti të fundit të “German Marshall Fund of the Untied States”, janë gjashtë shtete kyçe sot në rendin ndërkombëtar që mund ta forcojnë atë më shumë. Sipas këtyre studiuesve – Brazili, India, Indonezia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut dhe Turqia – kanë në dorë rinovimin e rendit ndërkombëtar për të sjellë paqe dhe prosperitet.
Rendi aktual ndërkombëtar përballet me sfida të shumta, ndër të cilat aleanca BRICK – Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrika e jugut. Sfida që paraqet ky formacion është anashkalimi i institucioneve financiare ndërkombëtare, dedollarizimi i financave ndërkombëtare, stanjacioni i bisedimeve tregtare shumëpalëshe, arkitektura e dobësuar financiare globale, ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut dhe Iranit dhe një rënie e demokracisë në disa pjesë të botës.
Fuqia e këtyre vendeve, sipas studiuesve është në këto pika:

• Energjia – Rusia
• Metalet e rralla të tokës – Rusia dhe Kina
• Drithërat – Brazil
• Mallra të lira – Kina
• Prodhim masiv efikas – Kina
• Talenti teknik – Indi
• Furnizimi global me plehra kimike – Rusia
• Punëtori në moshë të re, e aftë dhe që flet anglisht – Indi
• Teknologji kibernetike, ushtarake dhe hapësinore – Rusia, Kina

Deri më tani, sipas studiuesve gjermanë dhe amerikanë, ka ende përkushtim të Turqisë, Indisë dhe disa shteteve të tjera kyçe ndaj institucioneve demokratike. Kjo mund të ndryshojë, sipas tyre, nëse nuk ka një politikë të qartë që i faktorizon në rendin ndërkombëtar.
Së dyti, qasja e Brazilit, Indisë, Indonezisë dhe Turqisë mund të sjellë përfitime të mëdha gjeopolitike, sepse qasja e tyre ndaj rendit ndërkombëtar është më fluide dhe më e hapur se ajo e Kinës apo Rusisë. Studiuesit thonë se angazhimi i Amerikës me këto shtete në bllok, jo veç e veç, mund të sjellë përfitime të mëdha. Kërkesat e këtyre shteteve, sipas studiuesve, që Amerika duhet të marrë parasysh, janë:

– Adresimi i kërkesave të tyre për përfaqësim më të madh në institucionet ndërkombëtare;
– Ndihma për të forcuar kapacitetin e tyre të brendshëm për të mbështetur në mënyrë më aktive rendin ndërkombëtar;
– Rritja e burimeve dhe vëmendjes që qeveria amerikane i kushton këtyre kombeve që ata të rrisin rëndësinë e tyre strategjike.

Ballkani sot ka një vëmendje të shtuar turke dhe kineze, krahas asaj amerikane dhe evropiane. Nëse do të bëjmë një ndarje të fuqisë politike dhe asaj ekonomike, do të vërejmë se evropianët janë fuqia ekonomike ndërsa amerikanët fuqia politike në Ballkan. Së fundmi, turqit dhe kinezët kanë hyrë fuqishëm. Investimet e tyre në Serbi janë shumëfishuar. Serbia, madje, ka bërë binjakëzime të qyeteve të saj me provinca të ndryshme në Kinë, teksa Turqia ka investuar miliarda në Serbi dhe vende të tjera të Ballkanit.
Evropa, ndërkohë, po tregohet e ngathët për ta thithur Ballkanin. Gjermanët janë të prerë se e ardhmja e tij është brenda BE-së, ndërkohë që francezët ndërtojnë skema për ta vështirësuar sa më shumë që të jetë e mundur, një ndër të cilat është edhe Komuniteti Politik Evropian, një ide e re, e paezauruar plotësisht se çfarë përmban.
Amerikanët kanë kaq kohë që e ftojnë BE-në të pranojë Turqinë, si një shtet kyç për stabilitetin kontinental. BE-ja shfaqet e lëkundur, duke parë popullsinë e saj dhe peshën ushtarake që do të projektonte Turqia në BE.
Ballkani, si një shekull më parë, është në qendër të një beteje të ashpër të Fuqive të Mëdha të rendit ndërkombëtar. Të varfër, të rraskapitur, me probleme të thella nga luftërat dhe ndasi të forta etnike, nuk mund të përjashtohet ndonjë aventurë…

Latest articles

Related articles