Atentati ndaj Nikulajt! Prokuroria shqiptare plotëson dosjen për të ekstraduar britanikët drejt Tiranës


– Dy persona janë në arrati nga grupi i Edmond Haxhisë, i formuar për të vrarë biznesmenin Ardian Nikulajn. Autori i krimit (Ruben Saraiva) dhe personi që ka luajtur rolin e informatorit ende nuk janë lokalizuar e madje as nuk dihet vendndodhja e tyre. Edmond Haxhia, i konsideruar si porositësi për ta kryer atë krim të rëndë dhe tre britanikë, mes tyre një vajzë, janë në pritje të përkthimit të dokumentacionit që është përpiluar kundër tyre nga autoritetet tona. Afati është deri me 5 maj, ndërkohë që në lidhje me shtetasin portugez po punohet edhe me palën greke për ta sjellë në pranga.

Nga grupi hetimor kanë dalë të dhëna se Edmond Haxhia, edhe më herët ai kishte tentuar me oferta vrasësish edhe në Fushë-Krujë, madje thotë policia se ai iu kishte afruar aq shumë shënjestrës sa kishte luajtur futboll me të afërm të familjes Nikulaj.

Autoritetet shqiptare po plotësojnë dosjen në ngarkim të këtyre personave për të bërë të mundur sjelljen e tyre para drejtësisë sonë, pasi ata akuzohen për një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në vendin tonë kohëve të fundit. Sipas të dhënave Prokuroria ka një mori pamjesh filmike, që janë edhe arma më e fortë e pranisë së tyre në skenën e krimit, prova shkencore, fakte dhe një sërë shkresash të identifikimit të momenteve kur kanë hyrë dhe dalë nga vendi jonë të gjithë protagonistët, përfshirë edhe dy të kërkuarit, që sipas policisë janë autori i vrasjes dhe informatori që është gjendur në hotelin e viktimës.

Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman të akuzuar si bashkëpunëtorë e informatorë në lidhje me vrasjen janë vënë në pranga në Londër dhe brenda datës 5 maj, Shqipëria duhet të përkthejë në anglisht provat dhe t’ia dërgojë Britanisë së Madhe për të bërë të mundur ekstradimin e tyre. Ndërsa në kërkim vijojnë Ruben Saraiva dhe Harry Simson. Vrasja u zbardh vetëm një javë pasi ndodhi. Edmond Haxhia akuzohet se solli në Tiranë 4 britanikët e portugezin për të mbyllur hesapet e gjakmarrjes që kishte të hapura me fisin Nikulja, që nga viti 1997. Haxhia është kushëri me vëllezërit Lestakaj që jetojnë në Londër dhe akuzonin Nikulajn se u kishte vrarë xhaxhain dhe nipin.

Latest articles

Related articles