R.SH. – Vatikan
Fakulteti i Informatikës dhe i Shkencave Bionike të Universitetit Katolik Péter Pázmány ishte ambienti i takimit të fundit të udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Hungari, i 41-ti shtegtim ndërkombëtar i tij. Fakultet me teknologji të avancuar në Evropë, ku studiohen veçanërisht neuroshkencat, ai sapo ka kremtuar 25 vjetorin. Mban emrin e kardinalit jezuit Pázmány (1570-1637), ish-primat i Hungarisë. Këtu Ati i Shenjtë u takua me akademikët dhe me botën e kulturës hungareze.
“Kultura, në njëfarë kuptimi, është si një lumë i madh”, nënvizoi Papa, duke përdorur imazhin e Danubit, “ajo përshkon vende të ndryshme të jetës dhe të historisë. Duke i lidhur ato, ajo bën të mundur lundrimin në botë dhe përqafimin e vendeve dhe të tokave të largëta, shuan etjen e mendjes, ujit shpirtin, e bën shoqërinë të zhvillohet”. Duke përmendur teologun e madh katolik, Romano Guardini (1885-1968), Ati i Shenjtë ndau dy format e dijes, njëra që u hyn thellë gjërave dhe konteksteve të tyre, ndërsa tjetra, që nuk e vëzhgon objektin, nuk e analizon atë, por vetëm e kap, për ta zotëruar.
Rreziqet e teknicizmit
Mënyra e dytë për ta njohur botën, shpjegoi Françesku, çon në një përfundim të vetëm: na bën skllevër të makinave. Ati i Shenjtë, si gjithnjë, nuk pati ndërmend të demonizonte teknologjinë, por vuri në pah rrezikun që ajo ta rregullojë, madje, ta dominojë jetën e njeriut. Në përkim me reflektimin, që po bëhet kohët e fundit, edhe në ambientet e Vatikanit, mbi rreziqet e Inteligjencës Artificiale, Papa bëri pyetjen: nëse jeta kontrollohet nga makinat, a mund të konsiderohet ende e gjallë? Françesku denoncoi faktin që një pjesë e shkencëtarëve nuk i vënë më kufi vetes, duke menduar se nëse është e mundur, çdo gjë është e ligjshme. Kritikoi individët që janë pak, ose tepër “socialë”, pra, që i përdorin rrjetet shoqërore për të mbushur boshllëqet e tyre, duke iu nënshtruar logjikës së kapitalizmit të egër. Pa rënë në pesimizëm, theksoi ai, duhet të kemi parasysh se paradigma teknokratike e shoqërisë mund të kërcënojë vetë ekzistencën e saj, duke ia nënshktruar një lloj përdorimi të algoritmeve shkencore, që e destabilizojnë njeriun.
“Jeta në bashkësi po bëhet e rrallë”
Në vazhdim të reflektimit të tij, Papa paraqiti rrezikun e një lloj “humanitarizmi të ri” – siç e quajti – që sheshon dallimet dhe i bën të parëndësishme fetë, duke e reduktuar në zero jetën e popujve. Njeriu varet nga makinat e jeta në bashkësi, denoncoi Françesku, “bëhet e rrallë dhe e trishtuar”. Pikërisht në këtë tablo të zymtë, roli dhe rëndësia e universitetit është e jashtëzakonshme, pasi ai është “tempulli” ku dija çlirohet nga kufijtë e ngushtë të zotërimit për t’u bërë kulturë, domethënë “kultivim” i njeriut dhe i marrëdhënieve të tij themelore: me transhendentalen, me shoqërinë, me historinë, me krijimin e Zotit”.
Papa shprehu nderim për intelektualët e mëdhenj, të cilët janë të përvuajtur. “Misteri i jetës – nënvizoi ai – u zbulohet atyre, që dinë të hyjnë në gjëra të vogla. E kuptuar në këtë mënyrë, kultura përfaqëson me të vërtetë mbrojtje për njeriun. Ajo zhytet në kundrim dhe formon njerëz që nuk bien pre e modës së çastit, por rrënjosen fort në realitetin e gjërave”.
Shqetësimi i shëndetshëm
Kushdo që e do kulturën, theksoi Papa, “nuk ndihet kurrë sikur i ka arritur të gjitha, por mbart në vetvete një shqetësim të shëndetshëm, …di si të dalë nga siguritë personale për të hyrë me përvujtëri në misterin e jetës”. Ati i Shenjtë e vlerësoi Universitetin Péter Pázmány për ndihmën, që u jep studentëve nga rajone të tjera të botës, si Siria.
Së fundi, kultura, sipas mendimit të klasikëve, “na shoqëron për ta njohur veten”, shpjegoi Françesku, duke propozuar dy fraza udhëzuese për jetën: fjalët e famshme të orakullit të Delfit “njihe vetveten”, pra, t’i dish ku i ke kufijtë dhe fjalët e Krishtit “e vërteta do t’ju bëjë të lirë”, që e nxisin secilin të zbulojë lirinë e vërtetë. Fjalë, që në Hungari kanë një jehonë të veçantë përballë “izmave” të historisë, të cilat japin një ide të rreme për lirinë: komunizmi në të kaluarën dhe konsumizmi sot.
“Çelësi për të hyrë në këtë të vërtetë janë njohuritë e pashkëputura nga dashuria relacionale, e përvuajtur dhe e hapur, konkrete dhe komunitare, e guximshme dhe konstruktive – përfundoi Papa. – Këtë janë të thirrur të kultivojnë universitetet e këtë është e thirrur të ushqejë feja”.