Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret që lejon deportimin e banorëve të territoreve të aneksuara të Ukrainës, të cilët refuzojnë të marrin nënshtetësinë ruse.
Sipas dekretit, qytetarët që “shprehin dëshirën për të ruajtur shtetësinë ekzistuese ose të jenë pa shtetësi” dhe nuk kanë fituar shtetësinë ruse do të konsiderohen të huaj nga 1 korriku 2024. Aty thuhet se ukrainasit që jetojnë në zonat e aneksuara ose duhet të bëhen shtetas rusë ose zyrtarisht të refuzojnë ta bëjnë këtë. Banorët e territoreve të aneksuara që fitojnë statusin e të huajve ose personave pa shtetësi dhe kërcënojnë “sigurinë kombëtare” të Rusisë mund të dëbohen.
Për më tepër, personat që jetojnë në territoret e okupuara të Ukrainës në ditën kur ato rajone u aneksuan dhe qytetarët që më parë jetonin në ato territore dhe u shpërngulën në Rusi, por shprehën dëshirën për të mbajtur nënshtetësinë ukrainase, do të konsiderohen të huaj, thuhet në dekret.
Më 30 shtator, Putini nënshkroi një dokument që zyrtarizon përpjekjen e Rusisë për të aneksuar rajonet ukrainase Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia, pjesë të të cilave janë të pushtuara nga forcat ruse. Para se Putini të nënshkruante dokumentin, Moska mbajti referendume në katër rajone gjatë luftës, rezultatet e të cilave u refuzuan nga komuniteti ndërkombëtar si krejtësisht të paligjshme.
Katër rajonet së bashku me gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në 2014, përbëjnë rreth 20 për qind të territorit të Ukrainës dhe ato përmbajnë disa nga pjesët më të industrializuara të vendit.
Ushtria ruse ka zëvendësuar gjeneralin e saj më të lartë, përgjegjës për logjistikën, në funksion të kundërsulmimit të pritshëm nga Kievi.
Konfirmimi vjen pasi prej ditësh kanë qarkulluar zëra për shkarkimin e gjeneralit Mikhail Mizintsev, i njohur si “kasapi i Mariupolit” për rolin e tij në rrethimin e qytetit portual një vit më parë. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se Alexei Kuzmenkov, një ish-zyrtar i Gardës Kombëtare, zëvendësoi Mizintsev. “Kuzmenkov është emëruar në detyrën e zëvendësministrit të Mbrojtjes së Federatës Ruse, i ngarkuar me mbështetjen logjistike të Forcave të Armatosura”, thuhet në njoftim. Megjithatë, arsyet pse Mizintsev u zëvendësua pas vetëm shtatë muajsh në detyrë nuk janë specifikuar.
Nga ana tjetër, Forcat ukrainase janë duke përfunduar përgatitjet për kundërsulmin e shumëpritur të pranverës, tha ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov, duke shtuar se në përgjithësi gjithçka është gati për një kundërofensivë të madhe. Reznikov nuk njoftoi datën e fillimit të kundërofensive.
Për muaj të tërë, Kievi është përgatitur për një kundërsulm që synon dëbimin e forcave ruse nga territori i pushtuar i Ukrainës në lindje dhe jug. NATO njoftoi dje se kishte dërguar më shumë se 98 për qind të mjeteve luftarake të premtuara në Ukrainë, duke përfshirë 230 tanke dhe 1.550 automjete të blinduara.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg njoftoi gjithashtu se aleanca kishte dërguar “sasi të mëdha municionesh” në Ukrainë dhe kishte trajnuar dhe pajisur më shumë se nëntë brigada ukrainase.