Italia do të vijojë të mbështesë integrimin evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe nuk ka agjendë tjetër përveç të ardhmes evropiane të rajonit. Kryetarja e Komisionit të Jashtëm dhe Mbrojtjes të Senatit të Italisë Stefania Craxi në një intervistë ekskluzive për RTSH u shpreh se Italia dëshiron të luajë “një rol lehtësues” në të gjitha proceset integruese të Ballkanit Perëndimor.
“Shqipëria për Italinë është një vend me të cilin lidhen marrëdhënie shume të rëndësishme, nga pikëpamja politike, ekonomike dhe kulturore, por mbi të gjitha na lidh një ndjenjë e madhe miqësie ndërmjet dy popujve, ndaj ishte një mënyrë për të riafirmuar gatishmërinë e Italisë për të mbështetur Shqipërinë për popullin e saj, një mbështetje që nuk ka dështuar kurrë dhe është një mbështetje e një vendi që qëndron krah për krah me një vend tjetër mik, edhe në kohë të vështira.
Italia do të vijojë të mbështesë integrimin evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe nuk ka një agjendë tjetër, përveç të ardhmes evropiane të rajonit.
Ne jemi përkrah Shqipërisë, përkrah Ballkanit Perëndimor në këtë proces që për mendimin tonë ka zgjatur shumë, besoj se edhe konflikti Ukrainas duhet të jetë një mësim për ne, ne duhet ta shpejtojmë këtë proces me të gjitha ato vende që kanë të njëjtin vizion për perëndimin për sa i përket vlerave për lirinë dhe demokracinë, respektimi i të drejtave të njeriut dhe për rrjedhojë Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do ta gjejnë Italinë në krah të tyre.
Italia vlerëson rolin lider të Shqipërisë në rajon, mbështet nismën e bashkëpunimit rajonal mes Shqipërisë, Serbisë e Malit te Zi dhe nxit vendet e tjera t’i bashkohen kësaj nisme.
Shqipëria dhe Italia, përveçse dy vende tradicionalisht e historikisht mike të ngushta, janë partnerë në përballimin dhe zgjidhjen e konflikteve të vështira gjeopolitike, mes vendeve demokratike e paqësore dhe regjimeve luftënxitëse e autokratë. Italia mbështet dialogun Kosovë-Serbi. Për anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe organizata të tjera ndërkombëtare, Italia do të nxisë edhe diplomacinë paralele”
Senatorja Craxi, Ambasadori i Italisë në Shqipëri Fabrizio Bucci dhe miq të tjerë parlamentarë e diplomatë italianë u pritën në një takim nga Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, dhe përfaqësues të Komisionit të Politikës së Jashtme.
Në qendër të takimeve u diskutuan lidhjet e forta mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe sfidat me të cilat përballet rajoni dhe ri konfirmuan përkushtimin e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.