Krimi elektoral dhe përdorimi i bandave të krimit nga mazhoranca

Pakkush e ka besuar kur është thënë se SHBA po reagon përmes strukturës së posaçme të SPAK por me çduket vizita e Escobar ka ngjallur kuriozitet. Megjithëse i dërguari special i SHBA nuk e takoi Dumanin, ky i fundit ka ngritur një grup të përcaktuar dhe special që do merret me çështjet e zgjedhjeve.

Prej vitesh Shqipëria është kthyer në një vend ku krimi i organizuar komandon dhe përcakton deputetë, kryetarë të bashkive dhe rrjedhën e zgjedhjeve në vend. Raportet e OSBE por mbi të gjitha përgjimet e kryera nga Prokuria e Krimeve të Rënda në rastin e Avdylajve apo krimeve zgjedhore në Dibër janë vetëm një ilustrim i vogël i asaj që ndodh në Shqipëri. Në vitin 2021 një krim makabër ndodhi në Elbasan me pasojë humbjen e jetëve. Arsyeja? Krimi elektoral dhe përdorimi i bandave të krimit nga mazhoranca.

Duket, se për këtë çështje SPAK është vendosur në punë për të kuptuar kush po i administron këto banda dhe se si po sillen ato. Situata shtë më komplekse se sa qetësia fiktive që duket në media. Treshja që manaxhon jetën politike shqiptare prej tre dekadave mbase ka një ujdi të qartë me krimin e organizuar. Qytetarët nën zë raportojnë për shuma marramendëse që paguhen, rasti i djalit të kryebashkiakut të Hasit është një shembull shumë i vogël në raport me atë që po ndodh në vendin tonë.

Krimi i organizuar tenton të prevalojë në shoqëri që kanë një pabarazi të lartë dhe një nivel të lartë varfërie shoqëruar me shpopullimin masiv. Efektet e një ekonomie të orientuar nga oligarkia i kanë dhënë terren xhandarëve të krimit të organizuar që të ushtrojnë presionet e tyre dhe të marrin nën kontroll Shqipërinë. Ekonomia e tregut është sakrifikuar për t’i dhënë jetë oligarkisë, sundimi i ligjit është djegur për t’i dhënë jetë krimit të organizuar, ndërsa meritokracia për t’i dhënë frymë korrupsionit.

Berisha dhe Metaj kanë vite që yshtin njerëzit e tyre për një aleancë jo veç mes tyre por dhe me krimin e organizuar. Në të mirë dhe në të keq Partia Demokratike ka rezistuar kësaj aleanca ndërkohë që sot kjo aleancë edhe nga burime mediatike është e qartë që është afruar me koalicionin anti-amerikan Bashkimi për Fitore. Nuk është habi ky ri rreshtim i krimit me Metën dhe Berishën, njerëzit e tyre në terren flasin shumë qartë për këtë marrëdhënie të re mes krimit dhe koalicionit të liderve të tyre. Sa i takon Ramës, dihet prej kohësh që ai ka një lidhje simbiotike me krimin.

Prandaj dhe SPAK po reagon duke krijuar dhe atashuar këtë strukturë me zgjedhjet. Gjasat janë që shumë shpejt njerëzit do të mësojnë për krimin dhe bashkëjetesën e tij me trekëndëshin e tranzicionit. Kjo për të provuar se si minues të demokracisë operojnë në terrenin e brishtë dhe tejet të frytshëm të Shqipërisë.

Latest articles

Related articles