Demoralizimi i Foltores – REDAKSIONALE

Vendimi i Partisë Demokratike për të mos kandiduar në 61 bashkitë duket se ka qenë një vendim i drejtë në kohë. Parë në një perspektivë tjetër, lëvizja Foltore së bashku me aleatin tjetër Ilir Metaj kanë humbur tempin duke dalë të vetëm përballë Edi Ramës që ka nisur që tani t’i mshojë tezës së të shkuarës së nongratave që nuk duan aspak Shqipërinë që prosperon por duan ta mbajnë në kthetrat e tyre politike. Një gjetje e mrekullueshme politike ndonëse një vit e ca më parë ka qenë vetë PD anti-Berisha që e artikuloi problemin real të Foltores.

Fakti që sot PD nuk kandidon në shumicën më të madhe të bashkive, ka vënë në dukje dëshpërimin e Sali Berishës dhe njerëzve të tij që i mungon një kundërshtar që ato duan ta shkatërrojnë. Kundërshtari është maskuar në Këshillin Bashkiak dhe po merr vota si Këshill, ndërkohë që kandidatët e Foltores+Partia e Lirisë vazhdojnë të dëshmojnë me turp se janë maskat e Berishës dhe Metës.

Bashkia Shkodër, djepi dhe bastioni i Partisë Demokratike, ka vendosur që mos të vendosë asnjë kandidat përballë Bardh Spahisë ndërkohë që ky i fundit po vuan presionin e qeverisjes si Foltorist dhe revanshin e ashpër të Edi Ramës që një vit më parë me gjasë i dhuroi aleatin Doshi ndërsa sivjet po korr atë përçarje që Bardh Spahia nën frymëzimin e Sali Berishës mbolli mes demokratëve. Do të ishte e mençur që Spahia të ishte ndryshe dhe ta manxhonte ndryshe situatën, por ai zgjodhi që të godasë me kërbaç demokratët e Shkodrës ndërsa detyroi deputetët e PD në SHkodër të shkojnë një pjesë tek Berisha. Rezultati? Sot po diskutohet që Bardh Spahia e humbet Shkodrën sepse nuk ka as frymën e grupit dhe as gatishmërinë për tu pajtuar me ata që ka fyer dhe nën frymën e Berishës po shkon t’ia falë këtë bashki aleancës Doshi-Rama.

Bashkia Tiranë është një tjetër shembull perfekt që megjithëse PD ka nxjerrë një kandidat për këtë bashki, loja mes Këllicit të dyshes Berisha-Metaj dhe Veliaj është aq qesharake saqë edhe batutat raciste të Sali Berishës nuk duket se ngrenë gjë dhe as frymëzojnë. Vetë fushata e Këlliçit ka një mungesë të madhe idesh aq sa ajo hera herës duket si imitim i fushatës së njeriut më të urryer tek lëvizja anti-amerikane e Foltores, Lulzim Basha.

Ndonëse Këlliçi, nën udhëzimet e amerikanëve që ka marrë në fushatë (mbase të Bashës?), ka vendosur që të shmangë Sali Berishën nga fushata e tij elektorale në Tiranë dhe të shfaqë gjithnjë e më pak Metën (që i ka borxh shumë?) sërishmi ai nuk po ngjall ritmin që duhet për një fushatë elektorale ku ka premtuar që do jetë ndryshe por po përfundon e njëjta në mos më e keqe se sa fushata e z. Kosova në 2015.

Të dy këto shembuj janë shenjë e tragjedie të opozitarizmit që as nuk lejoi një PD pro perëndimore dhe me një thelb tjetër nga ai i Berishës por njëkohësisht i la shqiptarët pa kandidatë. Tani, as Këlliçi në Tiranë dhe fundja askush në gjithë Shqipërinë nga dyshja Meta-Berisha nuk kanë përse të ankohen për dështimin e tyre evident në fushatë. Fakti që PD po luan për Këshillat Bashkiakë në shumicën dërrmuese të Shqipërisë i ka lënë ato pa tekst dhe pa asnjë motivim për të punuar duke dëshmuar se armiku i tyre nuk është Edi Rama por në fakt Partia Demokratike.

Kjo është e kuptueshme në situatën e Ilir Metës që mendon se do të trashëgojë demokratët nga Sali Berisha. Të njëjtën ëndërr kanë dhe nënkryetarët e ardhshëm të Partisë së Lirisë, ata presin që të trashëgojnë me testamentin politik njerëzit që ndjekin në verbëri staliniste Berishën, me bindjen që ajo copë e vogël dhe e zhurmshme mund t’i bëjë faktorë. Por edhe kjo ha vend për diskutim pasi mbase efektin manipulator dhe të fortë tek to e ka vetëm Berisha dhe as Metaj e aq më pak Këlliçi nuk mund të kenë sharmin e tillë për të arritur atë manipulim shkatërrimtar dhe robërues.

Pikëpyetjet e Foltores sidomos sot që nuk kanë më asnjë kundërshtar që të mund të merren për ta denoncuar si fajtor për këto zgjedhje, kanë degjeneruar duke prodhuar një garë aq fitikve saqë më shumë mbahen mend batutat e Ramës që tall Veliaj që nuk ka garuar në asnjë palë zgjedhje se sa emocionet e fushatës.

Gjithsesi, muaji i fushatës që hyn në fazën reale dhe përfundimtare pas dy ditësh do tregojë më shumë. Por, deri më tani sondazhet flasin për një situatë dëshpëruese dhe krize që nuk gjen zbrazje sepse problemi real në demokracinë tonë është një opozitë nongrata dhe anti-ameriakne që ka marrë peng. Bindja është që kjo mund të marrë shpejt pas 14 majit, por asgjë nuk duhet marrë lehtë.

Latest articles

Related articles