Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko, ndryshe nga kandidatët e tjerë, e konsideron veten “të lirë”.
Ai thotë se nuk është i kapur as nga “shefat” dhe as nga “oligarkët” duke iu referuar kandidatëve të tjerë.
Për Veliajn, Bejko tha se është “një çirak” i shefave të tij, teksa e akuzoi edhe si të kapur nga oligarkët, kryesisht ata të ndërtimit.
Duke folur në “News24”, Bejko tha se i uron sukses Belind Këlliçit, por shtoi se vota për të do jetë e çuar dëm, pasi Sali Berisha nuk ka asnjë gjasë të rikthehet në pushtet.
“Unë përballem në këto zgjedhje me Sali Berishën, Edi Ramën dhe Ilir Metën, dhe kandidatë që përfaqësojnë këtë treshe, janë thjeshtë çirakë të tyre. Erion Veliaj dhe ekonomia që prodhon Tirana, ndahet mes oligarkëve. Shikoni pak lejet e ndërtimit, i kanë marrë pesë njerëz. Jam kundër ndërtimit që bëhet për pastrim parash dhe për arsye monopolistike.
Mendoj që Belindi ka bërë zgjedhjen e gabuar që ka shkuar te Sali Berisha, nuk është i lirë. Sepse Erion Veliaj do japë llogari te shefat e tij në fund të ditës, ndërsa unë jam i lirë. Belindit i uroj shumë suksese por larg Sali Berishës, vota për të do shkojë kot se Berisha nuk ka asnjë gjasë të kthehet në pushtet”, u shpreh Bejko.