Ndryshimet e maturës. Provimet nisin në 1 qershor dhe mbarojnë në datë 19

Rreth tre mijë maturantët që duan të vijojnë studimet e larta për mjekësi të përgjithshme testit të digjitalizuar nuk do ti nënshtrohen në të njejtën kohë.

Ata do të ndahen në grupe me nga 300 persona dhe do të testohen përgjatë dhjetë ditëve.

Teza do të jetë e ndryshme nga një grup në tjetrin, por niveli i vështirësisë do të mbetet i njejtë.

Detajet rreth testit shtesë që do të zhvillohet për herë të parë këtë vit në degën e mjekësisë I ndau me gjimazistët dhe mësuesit në Vlorë ministrja e Arsimit Evis Kushi.

“Provimi do të zgjasë 1 orë. Janë vetëm pyetje me alternativa dhe vlerësimi është automatik menjëherë pas procesit të provimit.

Janë 3 mijë pyetje nga kurrikula e gjimnazit për lëndët kimi, biologji dhe fizikë. Dhe sot ne kemi sjellë dy teste që janë gjeneruar nga sistemi. Që janë si modele që ju t’i shikoni çfarë formati, si mund të jetë një model i testeve për provimin Mjekësi e përgjithshme”, ka thënë ajo.

Provimet e maturës do të nisin më 1 qershor dhe do të përfundojnë më 19 qershor.

Këtë vit do të zhvillohen në salla të mëdha dhe do të monitorohet me kamera.

Maturantët nëse do të konstatojnë se një pyetje i është vlerësuar gabim do të kenë mundësi të kërkojnë rivlerësimin e tezës.

Latest articles

Related articles