PS, Mazniku: Për projektin “Zona e Lirë Ekonomike” në Tiranë kemi punuar 3 vjet

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, i ftuar në ABC News, foli për projektin “Zona e Lirë Ekonomike”. Ai tha se përmes këtij projekt, në Tiranë do vijnë kompani ndërkombëtare, të cilat përmes veprimtarisë së tyre do të hapin mbi 7 mijë vende puna të mirëpaguara dhe kjo tha ai do ta bëjë Tiranën më konkurruese.

Sipërfaqja e kësaj hapësire tha Mazniku është aktualisht 36 hektarë dhe se puna dokumentare ka përfunduar dhe tani pritet të zbatohet puna në terren.

“Zona e lirë ekonomike është projekt që ka 3 vjet për të cilin që kemi punuar. Është punë 3-vjeçare. Para dy vjetësh, është ndryshuar ligji, për të lejuar që bashkitë të jenë operatorë në një zonë e tillë. Pra pronare e një zone zhvillimore dhe tani ka filluar puna e të ftuarit të kompanive ndërkombëtare, për të ardhur dhe për tu vendosur aty. Arsyeja pse prezantohet tani është se VKM në dhjetor I ka dhënë këtë status bashkisë së Tiranës për ta zhvilluar këtë zonë. Është realizuar pjesa dokumentare, tani do fillojë progresi fizik. Sipërfaqja është 36 ha, dhe brenda kësaj zone, do jenë më shumë se 60-70 kompani. Objektivi është që të ketë 7 mijë vende pune të mirëpaguara”, tha ai.

Mazniku, komentoi premtimin e kandidatit të Foltores Belind Këlliçi për transport publik falas në kryeqytet. Ai tha se këto deklarata bëhen nga njerëz, të cilët e dinë shumë mirë se pas zgjedhjeve, nuk do jenë në detyrë.

Për Maznikun, administrimi i qyteti kërkon punë serioze dhe profesionalizëm të lartë. Numri dy i Bashkisë së Tiranës e pranoi se transporti publik është një sfidë e madhe për Tiranë, ndërsa u shpreh se kjo do të zgjidhet përmes krijimit të hapësirave të dedikuara për autobusët.

“ Në mënyrë të rregullt në kohë fushatash ne pararendemi me ato momentet populiste, ku njerëzit që janë të qartë se nuk do jenë në detyrë pas zgjedhjeve, mund të flasin çfarë të duan dhe mund të hapin thesin dhe të thonë çfarë të duan. Menaxhimi i qytetit ka nevojë për punë serioze. Transporti publik është një ndër sfidat më të madha që Tirana ka. Ne duam të synojmë një transport publik për çdo njeri, që të lë makinën dhe të kryej punën përmes transportit publik. Objektivi ynë, është të kemi mjete elektrike. Me korsi të dedikuara. Kemi nevojë që të krijojmë kushte komode dhe të shtojmë frekuencën e lëvizshmërisë. Nëse themi se autobusët i bëmë pa lekë, do kemi më shumë trafik. Menaxhimi i qyteteve kërkon seriozitet dhe profesionalizëm. Qyteti është duke u rritur. Në rritemi çdo vit me 20 mijë veta. Ne kemi nevojë të krijojmë një qytet, që të shohë nga e ardhja. Ne synojmë që Tirana të jetë një qytet europian, që të rinjtë ta shohin si destinacion të mundshëm dhe punët që ne duhet të bëjmë duhet të jenë tek ky drejtim”, tha ai.

Latest articles

Related articles