Është hapur diskutimi nëse PD duhet të paraqesë 61 kandidatë në 61 bashkitë e Shqipërisë. Është hera e parë që hapet një diskutim i tillë për Partinë Demokratike pasi gjithmonë PD ka paraqitur kandidat në çdo bashki apo komunë. Kjo ndodh sepse lidershipi i PD janë të traumatizuar nga terrori dhe komploti i Sali Berishës, kanë iluzione për ndonjë formë bashkimi, si mënyrë për tu ndalur terrori, sharja, fyerja dhe poshtërimi nga Sali Berisha dhe bosët e medias e krimit që janë pro tij. Kjo ska për të ndodhur kurrë, e vetmja mundësi e ndaljes së poshtërimit është po u nënshtruan te Sali Berisha.
PD duhet ta kuptojë se ndarja me Sali Berishën është e përjetshme dhe përfundimtare, ndarja me ndjekësit e tij që shajnë dhe fyejnë kudo e cilindo është gjithashtu përfundimtare. Nuk është hera e parë që kjo dukuri ndodh në Shqipëri. Shumë nga komunistët fanatikë, “vullnetarët” e Enver Hoxhës, nuk e pranuan partinë e re socialiste të vitit 1991. Madje edhe 20 vjet pas 1991, në vitin 2011, ekzistonin mbi 1500 socialistë në Tiranë të cilët nuk votuan PS por votuan Partinë Komuniste të Hysni Milloshit.
PD i ka humbur ndjekësit fanatikë të Sali Berishës të cilët në asnjë rrethanë sdo ti ketë më kurrë si votues dhe premtojnë të votojnë një parti hajdutësh.
PD duhet të fitojë njerëz të tjerë të cilët nuk i ka pasur kurrë votues, për shkak të Sali Berishës dhe paaftësisë për tu reformuar. Sipas statistikave sekrete të PS 70 % e administratës ka votuar PD në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Këto nuk fitohen me SB në krye.
Për ta arritur ketë transformim dhe zëvëndësim të “audiencës” – votuesit, PD duhet të jetë parti premtuese. Një parti që është në tregun e ideve, vlerave dhe me ofertë konkrete. E për të qenë parti, duhet të sillet si parti potente. Nëse PD nuk paraqet kandidatë në 61 bashki, ajo e ul veten në parti të kategorisë se dytë, ajo humb terren sepse lë bosh territore e popullsi që kërkojnë përfaqësim prej saj. Nëse lë bosh territore e popullsi, PD jep mesazhin se nuk është parti kombëtare për të gjithë shqiptarët por parti e pazarit në disa territore ku ka interesa.
PD ka shanse të ringrihet, të ecë me këmbet e veta elektorale dhe duhet ti dëshmojë Shqipërisë se mundet të ekzistojë edhe pa Sali Berishën. Duhet të dëshmojë se ka qenë dhe është parti me vokacion mbarëkombëtar dhe nuk ka qenë e nuk pranon të mbetet “konkubinë” e Sali Berishës e cila qan dhe depresionohet prej ndarjes me të.