Aksidenti që i mori jetën punonjësit të policisë, në pranga 27-vjeçari nga Patosi

Policia e Fierit ka arrestuar në flagrancë qytetarin G. H., 27 vjeç, banues në Patos, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi ka aksidentuar, me pasojë vdekjen, Agron Sabën, punonjësin e policisë në Stacionin e Policisë Patos.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:35, në aksin rrugor “Patos-Fier”, ku automjeti tip “Opel” me drejtues 58 vjeçarin Agron Saba, është përplasur nga automjeti tip “Benz” me drejtues individin G. H., 27 vjeç, banues në Patos.

Njoftimi i Policisë:

DVP Fier/Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 4 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, në lidhje me një aksident rrugor, në aksin rrugor “Patos-Fier”, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin G. H., 27 vjeç, banues në Patos, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi ka aksidentuar, me pasojë vdekjen, shtetasin A. S. (punonjës policie në Stacionin e Policisë Patos).

Po nga këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. Gj., 52 vjeç dhe V. H., 73 vjeç, pasi janë konstatuar duke drejtuar motomjetet përkatëse, nën efektin e alkoolit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Ç., 42 vjeç, banues në Patos, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë, një shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. B., 39 vjeç, banues në Ballsh, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë, 2 shtetas të tjerë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Latest articles

Related articles