Deputetja demokrate: Kandidatët e primareve të vijnë dhe të kandidojnë nën logon e PD-së

Deputetja e PD-së Orjola Pampuri ka qenë sot e ftuar në News24, në rubrikën “Opinion” ku ka folur për një sërë çështjesh. Pampuri foli dhe për arrestimin e lehonës 26-vjeçare, 8 ditë pasi kishte sjellë në jetë foshnjën e saj.

“Është një lajm i mirë lirimi i saj. Nuk mund të shkëputet një nënë në një moment shumë të rëndësishëm të lidhjes së tyre.
Në realitetin shqiptar nëse nuk do ishte bërë publik, nëse nuk do kishte një reagim kaq të madh publik, mendoj që nuk do ishte liruar nga burgu. Reagimi gjithmonë është pozitiv sidomos në shoqëri si të tonat që ne vuajmë për reagime dhe presim të na nxisë politika”, deklaroi Pampuri.

Ajo u ndal më pas në regjistrimin e PD në zgjedhje me Alibeajn kryetar të komanduar.

“Kjo shkoi në KAS për shkak se ishte z. Celibashi që nuk e miratoi. Ne nuk e gjykuam se sa i varur është. Ne e gjykuam se mori një vendim të nxitur nga bindjet e tij të brendshme jo nga faktet.

Ligjërisht nga ekspertët ligjorë është konkluduar që ishte gjithçka brenda kuadrit ligjor dhe nuk kishte arsye pse të kthehej mbrapsht.
Sot ende mund të quhet që në nisje të procesit filloi me një anshmëri. Mendoj që nuk është pozitive”, tha Pampuri.

Sa i përket deklaratave të Berishës, deputetja e PD-së tha se është një përplasje, një përballje e cila ka filluar hershëm, por se sot jemi në një situatë të re dhe ka një kryetar të deleguar të PD-së zyrtare. Ajo tha se kandidatët e Primareve duhet të kandidojnë nën logon e PD-së.

“Zoti Alibeaj iu delegua ky post i kryetarit të PD-së në momentin që nga grupi parlamentar u kërkua që z. Basha dhe z. Berisha të bënin një hap pas. Z. Basha bëri një hap pas, u tërhoq. Nuk ka qenë faktor gjatë kësaj kohe, as për mirë, as për keq. Sa i përket z. Berisha është një përplasje, një përballje e cila ka filluar hershëm. Nuk është pranuar as vendimi i 9 shtatorit, kemi një 8 janar, plot situata të tilla. Jemi në një situatë të re, komplet tjetër dhe në këtë situatë ka një kryetar të deleguar të PD-së zyrtare që është z. Alibeaj.
Ne sërish themi jemi këtu ku jemi, kemi një logo të PD-së, kemi demokratët që duan të votojnë për të djathtën dhe në këtë moment kemi propozuar që kandidatët e primareve të vijnë dhe të kandidojnë nën logon e PD-së. Duhet të pranohet në perceptimin tim. Nëse nuk pranohet atëherë nuk ka një dëshirë. Ndërkohë që ne shtrimë dorën, është regjistruar koalicioni i z. Berisha me Partinë e Lirisë.
Mendoni kemi një PD, logon e PD-së, kemi demokratë dhe këtu. T’i thuash pjesës tjetër të demokratëve hajdeni bëhemi bashkë që të ketë një mundësi më të madhe për të fituar, ne në këtë moment nuk duhet të vendosim interesat tonë personalë”, deklaroi deputetja e PD-së.

Latest articles

Related articles