PD po konsumohet kot me këta me këta kandidatët e Berishës, duke i ftuar të garojnë në siglën e PD.
Qoftë edhe si taktikë elektorale nuk duket efikase. Kjo ideja me kandidatë “unikë” nuk është logjikë politike për aritmetikë pragmatiste pa ndonjë rezultat të pritshëm pozitiv . Llogaritë e kësaj logjike bëhen pa marrë parasysh arsyet dhe shkaqet që çuan në ndarjen e PD që sigurisht nuk janë kandidatët por mendimet e kundërta politike e ideologjike (atyre që kanë mendim) të kampeve brenda sajë që çuan edhe në pozicionimin e individëve.
Të përzgjedhurit e Berishës nuk përbëjnë faktor bashkimi por përçarje. Ata janë zgjedhur nga ithtarët e tij , pa pjesëmarrjen e të gjithë anëtarësisë dhe elektoratit në procese false të manipuluara ku fituesi është përcaktuar më parë nga qendra e tyre në Tiranë.
Në këto primare, sipas denoncimit të shumë kandidatëve, “humbës”, janë përfshirë njerëz që nuk kanë lidhje me PD anëtarë e militantë të PS dhe PL .
PD nuk i ka njohur Primaret e Berishës dhe i ka denoncuar ato si farsë e mashtrim.
Tani të kërkosh që kandidatët e dalë nga farsat mashtruese të Berishës të garojnë në logon e PD nuk duket ndershmëri politike e as konsekuencë ndërkohë që zeron përpjekjet dhe qëndresën e mijëra demokratëve që iu qëndruan në krahë por edhe të kandidatëve të PD të prezantuar publikisht apo në proces përzgjedhje e prezantimi .
Në konceptin tim beteja e PD nuk ka qenë me individin Berisha por me bershizmin si mendësi ,praktikë e aksion politik. Kjo do të thotë që të gjithë ata që i janë bashkuar atij nuk e kanë problem bershizmin ose me keq, e gjejnë veten tek ai, janë pjesë e tij.
Sigurisht që në primare mund të ketë pasur edhe kompromise të vogla midis palëve por sot pas qartësimit politik e juridik të situatës, kandidatët e këtyre kompromiseve lokale vetë duhet të regjistrohen vetë në siglën e PD, përndryshe ato nuk kanë qenë kompromise por hile e spekulime pa vlera.
Mendoj që PD, pas ndarjes politike e juridike me Berishën dhe bershizmin, duhet të përqendrohet tek transformimi në një forcë politike të djathtë të sinqertë me anëtarësinë, elektoratin dhe aleatët perëndimorë dhe kjo nuk bëhet duke rikthyer brenda sajë berishistët të cilët para një viti qenë duke i vrarë ne soçata e vare në selinë e PD.
Shoh një lloj inferioriteti tek disa përfaqësues të PD që me sa duket janë viktima të perceptimit të rremë, që oligarkia politike-financiare, mediatike po mundohet të imponojë në opinion se “Berisha është shumicë” gjë që nuk është provuar kurrë.
Disa prej këtyre përfaqësues nuk e kanë aftësinë të kuptojnë e parashikojnë mbështetjen elektorale pasi janë në ato pozicione si përfaqësues listash, jo si kontribut i vlerësimit të elektoratit në aspektin personal .
Por tani situata politike ka ndryshuar dhe vendi po shkon drejt një faze të re politike që con detyrimisht edhe në një klasë të tjetër politike që duhet të pushtetet me të .
PD e shkëputur nga Berisha dhe bershizmi ka shansin të jetë pararojë e sajë duke ecur përpara jo duke u kthyer mbrapa.
Dhe ftesa drejtuar enturazhit politik të Berishës është kthim mbrapa që mund të çojë në dështim .
PD është sot përballë provës së madhe përballë anëtarësisë, elektoratit dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Të gjithë janë sy e vesh çfarë është e aftë kjo PD të bëjë ndryshe nga Berisha dhe bershizmi që e kanë sunduar deri tani ?!
Drejtuesit dhe përfaqësuesit e sa jë kanë detyrimin të përcaktojnë filozofinë ,programin dhe burimet njerëzore që do to prezantojnë e realizojnë ato ndryshe nga Berisha. Dhe kjo nuk është një punë e lehtë po të kemi parasysh skepticizmin e opinionit ndaj një partie deri dje në sundimin e Berishës dhe modeleve të tij të politikanit . Duhet pa tjetër një “big bang” , një blic i fuqishëm që të mund të bëjë kontrastin në të shkuarën e errët e të ndriçojë të ardhmen në sytë e publikut që po pret me shpresë por edhe me ankth , si “i djeguri nga qulli që i fryn kosit”.
Janë pikërisht këta , njerëzit elektorati, jo pengmarrësit politiko- financuar të opinionit publik që përcaktojnë kush janë shumicat dhe pakicat dhe për ta bërë këtë u duhet të kuptojnë ku ndryshojnë palët me njëra tjetrën .
Me këta duhet ta bëjnë marrëveshjen dhe për këtë asgjë bershiste veçanërisht kandidatët e tij nuk u iu hyn në punë !
Personalisht hyj tek njerëzit që besojnë se lidershipi dhe një pjesë e përfaqësuesve të PD dhe shumë të tjerë jashtë sajë ,janë të aftë dhe të gatshëm ta kuptojnë e ta marrin përsipër misionin e shndërrimit të PD në një forcë politike moderne e konservatore duke ndërtuar një model qe do të mund të jetë shpresë për shqiptarët dhe shembull për iniciativat e tjera politike në vend.
Për të arritur këtë duhet ndarë mendja se nuk mund të ecet para duke mbajtur kokën mbrapa. Ndarja qartësisht nga e keqja e shkuar është starti, hapi i parë drejt ndryshimit të pritur. Ata që bënë të shkuarën nuk mund të bëjnë dot të ardhmen .
Ndarja duhet të jetë e qartë, mjaft më me “bashkëvajtjës dhe bashkëfajtorë”!
Nebil Çika