Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në rrethin e Krujës. Të gjithë punonjësit e OSHEE Krujë – Fushë-Krujë pezullojnë punën për një periudhë kohe pa afat.
Janë rreth 70 punonjës të cilët mëngjesin e sotëm kanë vendosur të mos fillojnë punën pasi është e disfata herë që sipas tyre, bien pre e arrestimeve tendencioze nga ana e policisë.
Konkretisht ditën e djeshme në fshatin Halil nga një aksion antidrogë të ndërmarrë nga policia është konstatuar një tunel i braktisur i ushtrisë ku janë konstatuar fidanë kanabisi.
Janë njoftuar punonjësit e OSHEE të zonës për të gjetur lidhjen e energjisë elektrike të këtij tuneli.
Nga OSHEE është konstatuar me vështirësi të madhe pasi kishte mbi një kilometër kabull të shtrirë nën tokë pranë një shtylle e cila ishte shpuar në bazamentin e saj e cila vizualisht ishte e pamundur të identifikohej.
Punonjësit e OSHEE janë detyruar të bëjnë kontroll nga lart të të gjitha shtyllave në zonë derisa është konstatuar lidhja e jashtëligjshme e cila furnizonte tunelin që shërbente si serë.
Në bashkëpunim me policinë OSHEE ka ndenjur në gatishmëri duke i ndihmuar për çdo nevojë që policia kishte.
Më pas 8 punonjësit e OSHEE janë shoqëruar në polici ku janë marrë në pyetje për mënyrën sesi ishte bërë lidhja e tunelit.
Në këtë moment është prerë fletë-arresti për 4 prej tyre, ndërsa 4 të tjerë janë lënë të lirë.
Aktualisht rreth 70 punonjës të kësaj njësie po protestojnë përpara zyrave ku punojnë, ku kanë vendosur që shërbimi do ofrohet vetëm në raste nevoje nga familjarë.
“Nga ky moment për një periudhe pa afat ndërpresim punën”, kanë deklaruar punonjësit.
Sipas tyre është e përsëritur tendenca për të arrestuar dhe ngarkuar me përgjegjësi punonjësit e OSHEE. Burime nga OSHEE Durrës bëjnë me dije se prej kohësh ka një mungesë vullneti bashkëpunimi nga ana e policisë.
“Në 90 për qind të rasteve është vetë OSHEE e cila i jep indicie policisë për godina të dyshuara për kultivim bimësh narkotike madje në shumë raste ka qenë vetë OSHEE e cila pasi ka konstatuar lidhje të jashtëligjshme apo të dyshimta ka njoftuar policinë”, bënë me dije burime nga OSHEE Durrës.
Sipas policisë çdo rast që konstatohet pa pronar apo në ambiente e godina të braktisura OSHEE ngarkohet me përgjegjësi penale.
Kjo situate e përsëritur ka irrituar tej mase punonjësit e zonës operative Krujë- Fushë-Krujë të cilët kanë braktisur zyrat dhe në shenjë proteste nuk do rifillojnë punë derisa të marrin garanci të plotë që punonjësit e OSHEE nuk do ngarkohen me përgjegjësi që nuk i takojnë për shkak të njërës palë.
Për çdo situatë të tillë punonjësit e OSHEE kanë qenë në dispozicion të policisë dhe do vazhdojnë të jenë.
“Është i habitshëm fakti se me përgjegjësi ngarkohen punonjësit e OSHEE apo kryepleqtë e fshatrave ndërsa punonjësit e policisë apo operativët e zonave nuk ngarkohen me asnjë lloj përgjegjësie.
Është hera e katërt që përsëritet kjo situatë me punonjësit e OSHEE Krujë- Fushë-Krujë ku të gjithë fletë-arrestet në gjykatë janë të pavlefshëm pasi nga ana e policisë janë cituar si arrestime në flagrance ndërkohë që vetë punonjësit e OSHEE i kanë ndihmuar për nevojat që ato kanë pasur deri në dorëzimin apo plotësimin e formularëve.
Kjo bëhet në mënyrë që të shkarkohet përgjegjësia nga policia dhe t’i ngarkohet një pale tjetër ndërkohë të zotet e kësaj sere nuk gjenden pasi hetimet mjaftohen me arrestimin e punonjësve të OSHEE, siç ndodh rëndom me kryepleqtë e fshatrave”, deklarojnë punonjësit e OSHEE.
Të arrestuar
Ervis Halili me detyrë elektricist
Oltjon Farruku me detyrë elektricist
Në kërkim
Sokol Kullai shef ekipi
Ilir Karai lexues