Do të jenë 10 projekte të emërtuara si “ikonike” nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, piketat kryesore ku do të bazohet fushata elektorale për 14 majin.
Kështu ka thënë ai gjatë prezantimit të kësaj strategjie, e cila synon ta bëjë Tiranën një qendër moderne evropiane.
“Në 5 vitet e ardhshme duam të përfundojmë 10 projekte kryesore, që do të jenë ikonë për Tiranën, si paja që ne ia lëmë një gjenerate tjetër të të rinjve të Tiranës”, theksoi Veliaj në fillim të fjalës së tij.
Më pas, ai e nisi me projektin e Teatrit të ri Kombëtar, i cili është kryefjalë për jetën kulturore kryeqytetase, por jo vetëm.
Më tej, stadiumi i ri “Selman Stermasi”, në parametra bashkëkohorë dhe i zgjeruar, është plan i Bashkisë Tiranë për mandatin e ardhshëm, për të cilin Veliaj do të garojë më 14 maj 2023.
Një Muze i Artit Modern pritet të ndërtohet në Tiranë, bazuar në eksperiencat më të mira botërore, i cili do të zërë vend në zonën e Bulevardit të Ri të Tiranës, duke shfrytëzuar kështu një ndër hapësirat e reja më të mëdha në kryeqytet, për dashamirësit e artit.
Më tej, një projekt lidhet edhe me Kampusin e ri Universitar, i cili sipas kryebashkiakut, është i nevojshëm, në kushtet kur jeta kryesore studentore në Shqipëri zhvillohet në Tiranë.
Zona e Lirë e Zhvillimit Ekonomik të Tiranës, do të operohet tashmë me vendim të Qeverisë nga Bashkia e Tiranës dhe do të ketë shtrirje midis Kombinatit dhe Kasharit.
Kjo sipas Veliajt do të jetë edhe një prej qendrave më të mëdha të punësimit në kryeqytet.
Një qendër e re e Konventave, po ashtu është parashikuar për ndërtim në zonën e Bulevardit të Ri, duke parë se në kushtet e tanishme, është Pallati i Kongreseve ai i cili shërben për organizime të tilla.
Së bashku me të, do të ketë edhe një qendër të re të Panaireve.
Tre projektet përmbyllëse të dhjetëshes ndërkaq, do të jenë Muzeu i Tiranës, Kopshti Botanik dhe Pallati i ri i Sportit “Asllan Rusi”, të cilët do të marrë tjetër dimension me rimodelimin e tyre.