Nëse Celibashi e ka të pamundur të kontrollojë emocionet politike, le t’i kthehet politikës

Nga Namir Lapardhaja

Në çdo palë zgjedhje, organet administruese të zgjedhjeve duhet të kenë në qendër të tyre vetëm një gjë: Leximin dhe menaxhimin e drejtë të vullnetit të zgjedhësve!

Çdo deklaratë apo përkujdesje tjetër është thjesht një përdorim politik. Siç po ndodh së fundmi me deklaratat e kryekomisionerit Celibashi, i cili bën më të rëndësishme një deklaratë të një ish-kryetari se sa procesin zgjedhor që prej kohësh devijohet nga pushtetit përmes përdorimit të fondeve shtetërore, hapjes së vendeve sezonale të punës, shkeljeve të financimeve apo përdorimit të elementeve kriminale.

Edhe më paradoksale është kjo situatë po të kemi parasysh se deklarata për përgjegjësinë në zgjedhje e kemi pasur edhe më parë nga kryetarët e partive, por askush nuk i kërkoi llogari kryeministrit Rama pasi i dolën me rekorde kriminale disa prej kandidatëve dhe të zgjedhurve lokalë, apo edhe dikur në Kuvend.

Ndaj, është me rëndësi që Celibashi të bëjë detyrën e kryekomisionerit, dhe do të ishte në nderin e tij t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve që nuk ka arritur të ushtrojë kompetencat e tij, për të ndëshkuar kreun e sotëm të qeverisë për kandidatët me rekorde kriminale dhe për shkeljet me pushtetin përpara zgjedhjeve, siç ndodhi me zgjedhjet e 25 prillit 2021, ku qeveria lëvroi në javën e fundit para zgjedhjeve miliona euro, duke ndikuar kështu fare hapur në vullnetin e zgjedhësve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të tregojë se do jetë administrator i kujdesshëm i vullnetit të zgjedhësve. Të tjerat le t’ia lërë politikës dhe gjyqësorit.

Nëse Celibashi e ka të pamundur të kontrollojë emocionet politike, do ishte më e ndershme të largohej e të rifutej sërish në politikë.

Latest articles

Related articles