Për çfarë kandidojnë? – nga Vehap Kola

spot_img

Për çfarë kandidojnë ata kandidatë që në fushatën për kryetar bashkie merren me ambasadoren amerikane, me 2 Amerikat, me Sorosin, me Alibashët dhe pengjet e Ramës? Çfarë i duhet një kandidati pëe kryetar bashkie të shpallë tradhëtarë partie ata që nuk rreshtohen pas Sali Berishës?

Për të marrë votën e shumicës së qytetarëve jo e jo. Po as të të gjithë demokratëve. Pra, nuk kërkohet karrigja e kryetarit të Bashkisë, as shumica e Këshillit Bashkiak. Kërkohet dominimi i opozitës. Me këtë objektiv, këto zgjedhje bëhen një episod tjetër i luftës për të fituar PD-në.

Pa njohje për problemet e qyteteve, pa projekte, pa plane për t’i zgjidhur sfidat reale të jetës në qytetet dhe fshatrat shqiptare, Foltorja u thotë shqiptarëve se nuk i do këto zgjedhje. Edhe nëse qytetarët do t’ia japin mezor ndonjë bashki, ajo do të përdoret si foltore e politikës së madhe, politikës së jashtme, luftës për sovranitet e dekolonizim nga fuqitë imperialiste.

Një mesazh tjetër i qartë nga fushata politike e Foltores është edhe heshtja për problemet thelbësore të qyteteve. Se pse qytetet tona janë kaq të varfra, kaq të ndotura, kaq të shtrenjta dhe kaq të dendura me trafik e ndërtime, këto nuk marrin përgjigje në retorikën bardhezi të kandidatëve të Berishës. Kaq është e mjaftueshme për të lënë të kuptohet se, edhe në fitoftë ndonjëri, do të vazhdojë të bëjë të njëjtat gjëra si kryetarët e emëruar të Ramës.

Fushata për zgjedhjet lokale po përdoret, pra, në mënyrë të pandershme si një arenë e re për halle të vjetra që bujnë në selinë e zaptuar të PD-së. Problemet e administrimit urban presin. Edhe një mandat për kandidatët e Ramës nuk duket se është fundi i botës në sytë e Foltores. Fundi i botës është humbja e dominimit mbi opozitën.

Më shumë se kaq nuk kërkon as Rama, në fakt.

Latest articles

Related articles